Thomaidha Tanuçi / Sonata e shiut

SONATA E SHIUT
Sapo nisi një shi i butë,
shi i shtruar,
shuar mbi pika etja ime
dhe ka në duar qiellza të lëngëta.
A e ke ndier aromën e tokës?
Si fërshëllen dheu posht’ hapave;
a e ke ndier?
A je futur nën ndonjë lofatë të lagësht?
Tani filloi me rrëmbim,
i ngjan revoltës sate
furtunë;
por unë e pres,
e pres si dashurinë.
Bie shi në Tiranë
dhe unë nuk jam as Anë,
as Adrianë,
por bija e shiut,
që fle në jastëkë të lagur
dhe zgjohet mëngjeseve
me vesën mbi lëkurë.
Bie shi në Tiranë,
të panjohurit i fshehin
dëshirat nën shikime
e unë jam e padukura;
e humbura e kohës,
e gjetura e ëndrrës.
Ti, nuk guxon
të endësh kërcime
ëndërrimtare rreth trupit
as fjalë të bukura rreth buzëve
e ndoshta brenda vetes,
do ta këndoja një këngë
të pa kënduar,
që do të shoqëronte
ëndrrën time.
Bie shi në Tiranë
dhe unë nuk jam as Anë,
as Adrianë;
ndoshta një krejt e panjohur
duke pritur në shi…
/Shqip.com