Thomaidha Tanuçi / Korsika
Shkruan: Thomaidha Tanuçi
KORSIKA
Tregim
Ishte ulur diku në një gur të stërmadh, në bregun e Bastias në Korsikë, me vështrimin e përhumbur në udhën e bardhë, që linte anija gjigande “Corsika ferries”.
Syzet e errëta krijonin një korracë të fortë si të guaskave dhe e ndanin nga realiteti.
– Pse nuk u nisët dhe ju me të? – dëgjoi një zë shumë tërheqës te qafa rrëzë veshit.
– Si? – foli disi e trembur dhe vështroi dikë, një si punë njeriu, me sy si xixa që ndriçonin edhe ditën, kurse natën duken si sytë e një kafshe të egër që do të kalojë kufirin nga rëra e butë; ku hapësira e njeriut i dukej më e egër se egërsia e vet.
“Gjithë kjo përsiatje për një palë sy” – mendoi ajo dhe merre me mend tjetri qëndronte përballë me buzëqeshje. Ato pak sekonda iu dukën mijëra vite.
– Bëra një pyetje për atë anijen që po niset drejt Livornos?
– Si bota e një kafshe?
– Nuk e di… “Po ç’hyn kafsha këtu?”
– Kafshët, – tha ajo, – sa herë shikoj sytë e tyre, (madje frikësohem t’i shoh gjatë,) kam një si ankth të mistershëm.
– I hiqni syzet ndonjëherë?
– Vetëm në shtëpi dhe kur fle, – tha hareshëm.
– Më quajnë Film, – dhe i zgjati dorën.
– Film?! – përsëriti e çuditur emrin që sapo dëgjoi.
– “Rastësia mbret i botës”, ka thënë një burrë që nuk ia mbaj mend emrin. E çuditërisht unë banoj në shtëpinë e një skenaristi filmash; Carlo Beldaci Cari. Ka shkruar për Burgun…
– Burgun?
– Burgun e vetes. Poezi më quajnë, – tha ajo dhe hoqi syzet…
Rreth tyre u shpërndanë stërkala kafe të kadifenjta të thella, të trishta dhe krijuan udhën e ndërmjetme.
Oh, ata sy aq të bukur poshtë rrathëve mavi ishin të lagur.
– Ju pëlqejnë gurët?
– Çfarë? Si mund… nga… e dini ju?
– Dallohet.
– Në ëndrrën time kam jetuar në një kala. Aty shëtisja zbathur në shi…
– Po në diell,- shpotiti ai me shaka.
– Nuk ta them, – qeshi pastaj ra në mendime dhe mërmëriti:
– Aty bëja dashuri…
– E kush ishte truplakuriqi tjetër?
– Hija?
– Hija… ju keni bërë dashuri me… një… hije?!
Kështu?! Po si?…
– Ai hije dhe unë hije që dilja nga trupi …
– Dhe…
– Bënim dashuri si bëjnë hijet…
– Ndodh…
– Kur hija më futej në trup, bëja dashuri me burrin që kisha në shtrat…
– Ee…
– Ke ti ndonjë histori të bukur? – tha ajo.
– Unë?
– Po, – bëri me kokë ajo… një histori të bukur.
– Nuk e di, nuk e kam menduar ndonjëherë?
– Pse?
– Ndoshta nuk kam pasur kohë…. ndoshta historia ime më e bukur ka zgjatur 4 orë, pastaj më dërguan në djall, – tha ai dhe buzëqeshi sikur vendi ku e dërguan, të mos ishte aq i pakëndshëm.
– Por unë isha përgatitur me mish e me shpirt të dëgjoja historinë tënde, – vazhdoi ai.
U vendos një heshtje e rëndë.
Ajo u përhumb përsëri mbi blunë e ajo përhumbje ndillte edhe paqe edhe frikë…
– Çfarë do të dëshiroje më shumë tani?
– Të shëtisja zbathur me fustan puplinë të bardhë në kalldrëmet e lashta të Romës.
– Pse jo tek ajo kalaja?
– Ndoshta… por… ndoshta nuk dua… Ke dëgjuar për Nimfën? – ndryshoi intonacionin dhe degën e bisedës si bënte herë pas here…
Në fillim mërzitej nga kjo mënyrë e të bërit bisedë, por tani filloi t’i pëlqejë.
Ajo krijonte ngjyra te çuditshme në bisedë.
Kishte një mënyrë të vetën për t’i lënë hapësirën e duhur asaj që donte të thoshte ose jo.
– Po për atë që vdiq për Narçis, por tani kam dëshirë të dëgjoj historitë e tua. Ti flet sikur thua poezi. Dua të të dëgjoj, ato që thua, të humbëm në zërin tënd që sundon këtë zhurmë deti që ndonjëherë edhe më frikëson, me duket se ndjell diçka të keqe kobzezë. Vazhdo e fol të lutem!
– Një ditë… Më pyete pak më parë çfarë do të dëshiroja, pasi ajo që thashë për Romën ishte largim nga ajo që nuk dua të them.
– Po vetëm hap gojën dhe zbulo sytë….
– Akullore, superakullore “Nirvana ose Skandal” ose qershi. Por nëse m’i sjell këto do t’i mbylli sytë prapë në çastin që i ha…
– Po, por veç pa syze.
– Pa syze, – ngre dorën sikur betohet dhe syzet i heq.
I mbylli sytë me të qeshur.
– Ika, – tha ai dhe vrapoi te “Porti i vjetër”.
U kthye me një akullore të stërmadhe me karamel e qershi përsipër…
– Erdha, – tha, – erdha, – por…
Aty mbi gur, fare afër detit, ato syzet “Vogue” të errëta dhe më tej mbi blunë e dashur, shkumë e flluska të bardha si fustan i një nimfe, ndoqi udhën që bëri “Corsica Ferria”.
Mori syzet në duar, misterin e saj që sapo kishte nisur të zbulonte…
“Desha të isha ajo hija që përmendte aq shumë”, – mërmëriti dhe sytë iu mbushën me lot.
/Shqip.com