Teutë Rrusta e PSD-së shkruan “UÇK” në veturën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Aktivistja e Partisë Social-Demokrate, Teutë Rrusta, ka shkruar me ngjyrë “UÇK” në veturën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Me mbishkrimin “Kjo temë nuk kalon pa zgjidhje. Prandaj, përsëritja është metodë”, Rrusta ka publikuar këtë veprim në llogarinë e saj në Facebook.
Ky veprim i aktivistes ka ardhur për shkak të një postimi të ministres së këtij dikasteri, Donika Gërvalla Schwarz, për Ditën e Çlirimit të Kosovës.
Në këtë postim, kryediplomatja ka përmendur rolin e NATO-s dhe KFOR-it për çlirimin e vendit, mirëpo nuk e ka përmendur rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm”, ka shkruar Gërvalla./Shqip.com