Lajme

Gërvalla uron Ditën e Çlirimit, përmend NATO-n e KFOR-in por jo edhe UÇK-në

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Ministrja e Punëve të Jashme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Përmes një statusi në Facebook, Gërvalla ka thënë se çlirimi nuk mund të arrihej pa sakrificën e Kosovës.

“Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vet Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Gërvalla.

Kryediplomatja ka përmendur rolin e NATO-s dhe KFOR-it për çlirimin e vendit, mirëpo nuk e përmend fare rolin e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës.

“Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm”, ka shkruar ajo.

Foto e publikuar nga kryediplomatja Donika Gërvalla

23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Washingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.

Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’ Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori. Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë. 

Kjo ngjarje sot do të shënohet me aktivitete të shumta në kryeqytet dhe në komuna të tjera, si homazhe nga krerët shtetërorë te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova,  veprimtarit Adem Demaçi, Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, nderim te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.

Po ashtu do të mbahet një performancë e Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Togut Ceremonial të FSK-së – nga Sheshi “Skënderbeu” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, si dhe manifestimi qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Kosovës./Shqip.com