Lajme

Tërnoci në rivotim, Kamberi: Vuçiq dhe Daçiq po duan ta marrin Luginën

Shaip Kamberit nga Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka reaguar pasi Komisioni Republikan Zgjedhor në Beograd ka shqyrtuar kërkesën e SPS-së dhe ka vendosur që të përsërisin zgjedhjet në vendvotimin nr 6 në Tërnoc të Bujanocit.

Kamberi ka shkruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq dhe Ivica Daciq po vazhdojnë t’i përjashtojnë shqiptarët nga institucionet shtetërore.

“Vuçiqi dhe Daçiqi dëshmojnë se nuk duan integrim të shqiptarëve në institucione, por kontroll të vendimmarjes së komunave të luginës për t’ia ngushtuar edhe aty shqiptarëve praninë dhe përfshirjen”, ka shkruar Kamberi në “Facebook”.

“Dje instrumentalizuan politikisht Komisionin Republikan Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin nr.6 në Tërnoc të Bujanocit”.

Kamberi ka paralajmëruar se do të ankohen në Gjykatën Administrative për çuarjen në rivotim të Tërnocit.

“Përderisa ne do të ankohemi në Gjykatën Administrative, kjo flet se Beogradit zyrtar i pengon edhe një deputet i vetëm shqiptar në një parlament me 250 deputetë, kryesisht serbë dhe të dominuar nga SNS i Vuçiqit dhe SPS i Daçiqit”.

“Keqpërdorimi i mekanizmave shtetëror nga SNS dhe SPS të Qeverisë së Serbisë për t’i përjashtuar shqiptarët nga institucionet shtetërore po shoqërohet paralelisht me përfshirjen e tyre në vendimmarjet e Komunave të Luginës” ka shkruar Kamberi.

Lexo edhe:
Fitorja e Kamberit sërish në pikëpyetje, Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi dërgon në rivotim Tërnocin

Shqip.com, të hënën më 9 maj ka raportuar se Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi ka çuar në rivotim Tërnocin.

Ky vendim është marrë pas ankesës së Partisë Socialiste Serbe në Komisionin Komunal Zgjedhor në Bujanoc.

Lajmin për Shqip.com e kanë konfirmuar burime nga ky Komision.

“Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi ka vendosur që ta çojë Tërnocin në rivotim”.

Ky burim thotë se bëhet fjalë për 1100 vota të cilat Kamberi rrezikon t’i humbë./Shqip.com