Lajme

Fitorja e Kamberit sërish në pikëpyetje, Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi dërgon në rivotim Tërnocin

Mandati i deputetit në Kuvendin e Serbisë, për Shaip Kamberin është vënë sërish në pikëpyetje.

Kjo pasi Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi ka çuar në rivotim Tërnocin.

Ky vendim është marrë pas ankesës së Partisë Socialiste Serbe në Komisionin Komunal Zgjedhor në Bujanoc.

Lajmin për Shqip.com e kanë konfirmuar burime nga ky Komision.

“Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi ka vendosur që ta çojë Tërnocin në rivotim”.

Ky burim thotë se bëhet fjalë për 1100 vota të cilat Kamberi rrezikon t’i humbë.

Theksojmë se më 28 prill pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, Kamberi kishte arritur votat e nevojshme që të bëhet deputet në Parlamentin e Serbisë. 

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, vetë Kamberi.

“Po, i kam votat e mjaftueshme për të qenë deputet në parlamentin e Serbisë”, kishte thënë ai.

Lexo edhe:
Shaip Kamberi sërish fiton mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë

Kamberi, në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës.

Ai, kishte kërkuar ri-përsëritje të votimit, pasi sipas tij zgjedhjet janë karakterizuar me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të “pasivizimit të adresave të shqiptarëve”.

Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13 mijë vota./Shqip.com