Lajme

Telashe me e-Kosova, jo të gjithë studentët po kanë mundësi të aplikojnë për 100 euro

Ilustrim.

Pak orë pasi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve hapi aplikimin për subvencionim të studentëve,

në kuadër të pakos për “Përballje me Inflacionin”, numër i madh i këtyre të fundit kanë raportuar telashet me aplikim.

“Kjo xhirollogari bankare nuk korrespondon me numrin tënd personal”, “Tashmë keni përdorur këtë shërbim” apo “Ju lutem prisni, kërkesa juaj është në proces e sipër”, janë disa nga mesazhet që i kanë marrë nga portali e-Kosova, studentët që tentuan të aplikojnë.

Ata madje kanë treguar se numri që është në faqen e internetit është i paqasshëm.

Gjatë ditës, ministri, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se është hapur mundësia e aplikimit për studentët që pritet të përfitojnë shumën prej 100 eurove nga Pakoja për Përballjen me Inflacionin.

Lexo edhe:
Hapet aplikimi për studentë për mbështetje nga Pako për Përballje me Inflacion

Po ashtu është bërë e ditur, aplikimi do të jetë i hapur deri më 6 nëntor, në platformën e-Kosova, ngjashëm sikurse herën e kaluar për studentët shtetas dhe jo-shtetas që studiojnë në Kosovë dhe pas mbylljes së aplikimit, listat do të verifikohen me institucionet arsimore të akredituara, dhe listat e konfirmuara do të procesohen për pagesë.

/Shqip.com