Të paktën 16 persona të vdekur nga bora që ka bllokuar automjetet në Pakistan
Të paktën 16 persona kanë vdekur si pasojë e një stuhie bore në qendrën e skijimit “Murree”, në Pakistan.
Gjatë një stuhie bore në “Murree” të Pakistanit, temperaturat ranë në minus tetë gradë.
Oficeri i policisë në Islamabad Atik Ahmed tha se tetë nga 16 të vrarët ishin nga familja e kolegut të tyre, oficerit të policisë Islamabad, Naved Iqbal, i cili gjithashtu u vra dhe konfirmoi se të gjitha viktimat vdiqën nga hipotermia, shkruan The Guardian.
Ministri i Brendshëm, Sheikh Rashid Ahmed, tha se mijëra automjete ishin nxjerrë nga dëbora, por më shumë se një mijë ishin ende të bllokuar në zonë të shtunën.

I vendosur 45.5 kilometra në veri të kryeqytetit Islamabad, Murree është një vendpushim dimëror popullor që tërheq më shumë se një milion turistë në vit.
Rrugët që të çojnë në qytet janë të bllokuara shpesh nga bora gjatë dimrit, ndërsa ministri i Brendshëm tha se gjatë natës në atë zonë kanë rënë mbi 1.2 metra borë dhe se nga dita e sotme është bllokuar i gjithë qarkullimi në hyrje.
Reshjet e mëdha të borës kanë penguar përpjekjet e shpëtimit gjatë natës, si dhe janë bllokuar pajisjet për të pastruar borën.