Lajme Botë

Të paktën 15 të vdekur nga përmbytjet në Kinën Veriore

Përmbytjet në Kinën Veriore

Të paktën 15 persona kanë vdekur si pasojë e shiut të madh dhe përmbytjeve që kanë goditur provincën veriore të Kinës, Shanxi, duke shkatërruar mijëra shtëpi dhe duke detyruar më shumë se 120 mijë njerëz të zhvendosen në zona më të sigurta, thanë zyrtarët lokalë të martën.

Provinca përjetoi përmbytjet e saj më të këqija këtë muaj që kur filluan regjistrimet, tha zyrtari meteorologjik Wang Wenyi në një konferencë shtypi të martën, duke shtuar se reshjet mesatare të provincës në tetor ishin 13 herë më shumë se e njëjta periudhë në një vit normal.

Të paktën 1.75 milion njerëz janë prekur nga përmbytjet, të cilat kanë shkaktuar shembjen e të paktën 19 mijë e 500 shtëpive dhe dëmtimin serioz të 18 mijë e 200 shtëpive të tjera, tha zyrtari lokal i menaxhimit të urgjencës Wang Qirui në konferencën për shtyp. Tre persona mbeten të zhdukur, shtoi Qirui, shkruan CNN, transmeton Shqip.com.

Përmbytje pranë fshatit Lianbo, qyteti Hejin, në provincën Shanxi të Kinës veriore, më 10 tetor.
Përmbytje pranë fshatit Lianbo, qyteti Hejin, në provincën Shanxi të Kinës veriore, më 10 tetor

Sipas Wang Qirui, reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet kanë shkaktuar një humbje të vlerësuar direkte ekonomike prej më shumë se 5 miliard juan kinez (775 milion dollarë) në provincë.

Autoritetet provinciale kanë caktuar tashmë 50 milion juanë (rreth 7.7 milion dollarë) për të mbështetur kontrollin e përmbytjeve dhe punën e ndihmës, raportoi media shtetërore CCTV.

Kjo nuk është hera e parë këtë vit që Kina është goditur nga përmbytje shkatërruese.

Më shumë se 300 njerëz vdiqën nga reshjet rekord të shiut që goditën Kinën qendrore në korrik, duke zhytur lagje të tëra në Zhengzhou, kryeqyteti krahinor i provincës Henan dhe duke lënë udhëtarët të bllokuar në makinat e metrosë./SHQIP.com