Lajme

Të mërkurën protestë në Prishtinë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares

“Qendra Kosovare për Studime Gjinore”, “Youth Inciative for Human Rights” dhe “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” kanë njoftuar  protestë për ditën e mërkurë në sheshin Zahir Pajaziti në orën 12:00, nën thirrjen “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”.

Kjo protestë ka ardhur si reagim për rastin e dhunimit të një të miture nga pesë persona në Prishtinë.

Në komunikatën e tyre thuhet se ky rast tregon pasigurinë e tmerrin që vajzat e gratë e Kosovës e përjetojnë.

“Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden. Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi. Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave.”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kërkesat e marshuesve të mërkurën sipas organizatorëve do të jenë; Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit, legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Organizatorët janë shprehur se kësaj gjendje torture për vajzat duhet t’i vij fundi sepse ato asnjë ditë ma shumë nuk mund të jetojnë me frikë. Ndërsa djemtë e burrat nuk duhet të amnistohen nga shteti dhe shoqëria për dhunën që ushtrojnë ndaj vajzave dhe grave. 

Lexo edhe:
Dosja e Prokurorisë: 11-vjeçarja u dhunua në park derisa ishte duke ecur
Lexo edhe:
Dhunimi i 11-vjeçares, caktohet masa e paraburgimit edhe për të arrestuarin e dytë

Sipas organizatorëve, shteti është duke dështuar që ta trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike andaj aty ku shteti dështon të mbrojë gratë, ato do e mbrojnë vetën me çdo mjet të mundshëm./Shqip.com