Dhunimi i 11-vjeçares, caktohet masa e paraburgimit edhe për të arrestuarin e dytë

Një vajzë e mitur është dhunuar dy herë seksualisht në Prishtinë nga disa persona
Kështu përshkruhet në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar Kallxo.com.
Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur në park të kryeqytetit.
Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.
Lidhur më këtë Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të caktojë masën e paraburgimit për të dy arrestuarit.
“Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për secilin veç e veç” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Faktin se vajza ka qenë e mitur e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Për Shqip.com Ulaj tha gjithashtu se në mesin e të dyshuarve është edhe një i mitur.
“Viktima është e mitur. Lidhur me rastin janë ndaluar dy persona dhe njëri prej të ndaluarve është i moshës madhore kurse tjetri është i mitur”, tha Ulaj.
Tutje, Ulaj tha se sa i përket këtij rasti janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura hetimore në bashkëpunim me institucionet e tjera si dhe janë duke pritur për zhvillime./Shqip.com