Lajme Ballkan

Të ikur nga shtëpia, në ndjekje të shpresës: Përvojat e refugjatëve dhe të emigrantëve

Foto: Juan Carlos Herrera Martinez (RFE/RL)
Foto: Juan Carlos Herrera Martinez (RFE/RL)

Lufta. Konflikti. Ndryshimet klimatike. Ekonomia. Përndjekja. Politika.

Shkaktarët janë të shumtë, por dhjetëra miliona njerëzit që u përfshinë në valën ndërkombëtare të emigracionit kanë një gjë të përbashkët: Ata kanë lënë familjet e tyre, me ngurrim, në kërkim të sigurisë apo prosperitetit për veten dhe familjet e tyre.

Rreth 300 milionë njerëz cilësohen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si emigrantë ndërkombëtarë; një në çdo tetë emigrantë në mbarë botën është fëmijë.

Kjo i bie që 3.6 për qind e popullsisë globale është në lëvizje, në ndjekje të shpresës.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, më 18 dhjetor, Radio Evropa e Lirë ka bërë një përmbledhje të materialeve të publikuara, që tregojnë problemet që prekin më së shpeshti emigrantët dhe refugjatët, sidomos në 23 vendet e botës prej nga raporton Radio Evropa e Lirë.

Në vitin 2023 raportuam për ikjen e ukrainasve nga pushtimi i vazhdueshëm rus; për largimin e armenëve nga Nagorno-Karabaku, pas pushtimit azerbajxhanas; për zhvendosjen e mbi 6 milionë afganëve brenda vendit të tyre, për shkak të dhunës dhe katastrofave natyrore; për efektet rajonale të luftës në Gazë; dhe për dëbimin nga Pakistani të qindra mijëra afganëve pa dokumente.

“Kur flasim për 375 deri në 400 mijë njerëz duke u zhvendosur [nga Pakistani drejt Afganistanit] brenda dy muajsh, kjo është goxha e jashtëzakonshme”, thotë për REL-in Itayi Viriri, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Emigracion, në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Shqetësimi kryesor është se çfarë lloj mbështetjeje ka në terren për të gjithë këta njerëz që po kthehen”.

Sardar, një afgan i kthyer, që jeton në një kamp të përkohshëm në kufi, i ka thënë Shërbimit afgan të REL-it, Radio Azadi, muajin e kaluar: “Ne kemi shumë probleme. Nuk kemi para. Nuk kemi tualete”.

“Ne… kemi nevojë që komuniteti ndërkombëtar të ofrojë fonde dhe të ofrojë mbështetje, për të siguruar që atë ta marrin njerëzit që kanë nevojë më së shumti për të”, ka thënë Viriri për REL-in. “Në planin afatgjatë, sigurisht, çfarëdo krize humanitare ka nevojë për zgjidhje të qëndrueshme”.

Teksa ukrainasit mirëpriten, afganët në Poloni ankohen për vështirësi dhe dëbim

Rreth 1.500 afganë janë dërguar me avionë në Poloni, pasi talibanët e rimorën Kabulin në gushtin e vitit 2021. Shumë prej tyre thonë se përballen me vështirësi ekonomike dhe se nuk po marrin më ndihma nga shteti polak. Ata thonë se Polonia e ka bërë prioritet mbështetjen për 1.6 milion ukrainasit e ardhur që prej pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, më 2022.

“Më mungojnë rrugët e pluhurosura” – Afganët në Shqipëri të mërzitur nga pritja

Tash e gati dy vjet, qindra refugjatë afganë të vendosur në Shqipëri presin dritën jeshile për të migruar në SHBA. Pa asnjë informacion se kur mund ta marrin atë, disa kanë nisur të punojnë – kryesisht në restorante.

“Jemi lodhur duke ikur nga lufta”: Ukrainasit mes konfliktit Izrael-Hamas

Pasi i ikën pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga ana e Rusisë më 2022, rreth 14.000 shtetas ukrainas që janë strehuar në Izrael, e kanë gjetur veten përsëri nën sulme, teksa militantët e grupit palestinez, Hamas, nisën një sulm të paprecedent ndaj vendit. Një refugjate ukrainase, që ka ikur nga okupimi mizor rus në Buça, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sulmi “ishte si déjà vu”. Në Rripin e Gazës, një nënë ukrainase dhe familja e saj kanë kërkuar dalje të sigurt nga territori, i cili po bombardohet ashpër nga Izraeli.

Shoferi i vogël nga Karabaku largon familjen në Armeni

Një djalë 13-vjeçar i barti me veturë shtatë familjarë nga Nagorno-Karabaku drejt një vendi të sigurt në Armeni, mes një eksodi masiv nga rajoni. Teksa babai i tij ushtarak ndodhej në detyrë, familja thotë se adoleshenti, Gor Khachatrian, ishte shpresa e tyre e vetme për të mbërritur në Armeni. Udhëtimi i lodhshëm zgjati pothuajse tri ditë, pasi familja iku nga fshati Knapat (i njohur edhe si Hanabad), dhe la pothuajse gjithçka prapa.

Migrantët nga Azia Qendrore joshen të punojnë në Ukrainën e pushtuar

Qindra migrantë nga Azia Qendrore janë punësuar nga kompanitë ruse për të punuar në territoret ukrainase, të pushtuara nga Rusia, pavarësisht paralajmërimeve nga qeveritë e tyre që të mos shkojnë në Ukrainë. Kievi po ashtu ka deklaruar se këta punëtorë do të shihen si bashkëpunëtorë të pushtuesve rusë.

Jeta në mërgim në Argjentinë: Ish-ushtari rus që refuzoi të luftonte në Ukrainë

Pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, Fyodor, një ushtar rus 27-vjeçar, u trondit nga humbjet dhe vdekjet e shkaktuara nga lufta. Ai la ushtrinë dhe shkoi në Argjentinë me gruan e tij, Olenën. Atje, ai punon si pastrues për të siguruar jetesën.

“Si e burgosur”: Ish-prokurorja afgane e ndjekur nga talibanët

Ajo dikur ndihmonte për t’i futur militantët talibanë në burg, por tani ata po e ndjekin atë. Shumë ish-prokurorë shtetërorë tani po fshihen dhe frikohen për jetën e tyre, që kur talibanët e rimorën pushtetin në Afganistan, dy vjet më parë. Tani, një prej tyre, prokurore, ka pranuar të japë intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ajo ka thënë se po jeton “si e burgosur”, duke u zhvendosur vazhdimisht nga një shtëpi e sigurt në tjetrën. REL-i ka ndryshuar zërin e saj, për t’ia mbrojtur identitetin.

Balerina ukrainase e zhvendosur nga pushtimi rus, shkëlqen në Hungari

Ndërsa dritat në Shtëpinë e Operës Shtetërore të Budapestit fiken, një balerinë ukrainase me emrin Hanna Muromtseva fillon të ngjitet në ajër në rolin kryesor të “Liqenit të Mjellmave” të Çajkovskit. Në fund të performancës së saj publiku shpërthen me duartrokitje.

I porsalinduri refugjat: Bebja dyjavëshe mes eksodit të armenëve nga Karabaku

Një bebe e porsalindur është në mesin e mbi 65 mijë refugjatëve armenë, të cilët tani kanë ikur nga Nagorno-Karabaku drejt Armenisë. Radio Evropa e Lirë ka biseduar me nënën e Avetisit dyjavësh, i cili ka kaluar ditët e para të jetës së tij në një bodrum të përdorur si vendstrehim, në qytetin e Martekertit, i njohur edhe si Agdere. Azerbajxhani rimori kontrollin e Nagorno-Karabakut, pasi nisi një ofensivë të vrullshme ushtarake më 19 shtator.

Mijëra kazakë ia mësyjnë Koresë së Jugut për paga më të mira

Një marrëveshje e nënshkruar në mes të Astanas dhe Seulit më 2014, u mundëson shtetasve kazakë që të shkojnë në Korenë e Jugut pa pasur nevojë për viza dhe të qëndrojnë në këtë shtet si turistë për 30 ditë. Shumë prej tyre besohet se kanë qëndruar edhe më gjatë se periudha e paraparë dhe kanë punuar në fushat si ndërtimtaria, bujqësia dhe shërbime për industri të ndryshme.

Dora e hekurt që shkrehu eksod në mes të Evropës

Ka gati një vit që gazetari bjellorus, Aleh Hruzdzilovich, u dëbua nga regjimi i shtetit të tij vetëm pse bënte punën e tij. Besohet se 200.000 deri në gjysmë milioni bashkëvendës të tij mund të jenë larguar nga vendi i tyre, si pasojë e shtypjes së regjimit, që nisi pas kryengritjes së dështuar kundër diktaturës, në vitin 2020. Por, edhe në mërgim, bjellorusët përballen me probleme dhe rrezikun e dëbimit nga disa vende pritëse.

Afganët në Shqipëri, në pritje të realizimit të ëndrrës amerikane

Që nga viti 2021, të ikur nga regjimi taliban, afër 4 mijë afganë janë vendosur në qytete bregdetare të Shqipërisë, në pritje për të migruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lufta ia ndali trajtimin: Djali ukrainas me kancer mjekohet në Çeki

Anton Kotsko nga qyteti i Borisllavit, në rajonin perëndimor të Lvivit, në Ukrainë, është diagnostikuar me kancer në tru katër vjet më parë, por trajtimi i tij është ndërprerë nga pushtimi i vendit të tij nga Rusia. Tani 14-vjeçar, ai po jeton në Republikën Çeke, ku edhe po mjekohet.

Të luash dikë si vetja: Refugjatja afgane nis karrierën në SHBA

Një refugjate afgane, e cila po kërkon azil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po i bën për vete audiencat përmes ekranit, duke luajtur një personazh me të cilin ajo ka shumë të përbashkëta. Në rolin e saj të parë kinematografik, Anaita Wali Zada luan një emigrante të re, të quajtur Donya, e cila përfundon në qytetin e Fremontit, në Kaliforni. Jeta e saj e re: punonjëse në një fabrikë, ku shkruan mesazhe për biskotat e fatit.

Rrugëtimi i një kinezi përmes Ballkanit për në BE

Dikur e nxitur nga një bum ekonomik që zgjati për dekada e që nxori miliona persona nga varfëria, duke bërë shumë miliarderë, vitet e fundit të ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe të shtypjes së ashpër nën udhëheqjen e Xi Jinping, kanë bërë që një numër në rritje i kinezëve të kërkojnë punë jashtë vendit. Po ashtu, është rritur edhe numri i kinezëve që kërkojnë azil.

Refugjati 11-vjeçar bën histori në shah në Gjermani

Refugjati 11-vjeçar sirian, Hussain Besou, ka hyrë në histori në Gjermani, ku është bërë përfaqësuesi më i ri ndonjëherë i vendit në shah. Ai do të jetë pjesë e ekipit kombëtar të Gjermanisë në Kupën Mitropa, në Kroaci, gjatë këtij muaji.

Ramazan larg shtëpisë për gazetarët afganë në Kosovë

Disa gazetarë afganë, të strehuar në Kosovë, thonë se e ndiejnë mungesën e familjes dhe të traditave afgane. Ata kanë krijuar një rutinë të jetës dhe të punës, shumë kilometra larg vendlindjes së trazuar nga regjimi taliban.

Oferta e punës në Turqi: Si u bë kirgizja skllave seksi

Ajo që Diana K. mendonte se ishte një ofertë e mirë pune në Turqi doli të jetë një gënjeshtër e madhe për ta bënte amvisen 26-vjeçare nga jugu i Kirgizisë skllave seksi.

Refugjati sirian bëhet kryetar i fshatit gjerman

Pasi iku nga Siria drejt Gjermanisë më 2015, Ryyan Alshebl tani është zgjedhur kryetar i fshatit jugor gjerman, Ostelshajm.

Në kërkim të një jete më të mirë: Emigrantët afganë punojnë në plantacione çaji në Turqi

Me kushtet e jetesës që sa vijnë e përkeqësohen nën regjimin taliban, emigrantët afganë vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre, në kërkim të një jete më të mirë kudo që mund ta gjejnë atë, qoftë edhe në një plantacion çaji në Turqi. /REL

/Shqip.com