Sport Shqiptar

Taulant Dajaku “shpërthen” për zgjedhjen e javës nga komisioni i FFK-së: Turpi u mbuloftë!

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë, shkruan Shqip.com.

Çmimi i më të mirit për javën e 17-të i ka takuar portierit të SC Gjilani, Enea Koliçi.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Agim Maliqi, Sejdi Bojku dhe Besim Slishani.

Komisioni vlerësoi se portieri Koliqi ishte më i merituari që skuadra e tij realizoi fitore shumë të rëndësishme si mysafire kundër Llapit (1:0).

Drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku, ka reaguar fuqishëm në rrjetet sociale duke thënë se këtë çmim e ka merituar portierit i drenicasve, Altin Gjokaj (17-vjeçar).

Ky i fundit në ndeshjen ndaj Prishtinës ka qenë fantastik duke e ruajtur portën e paprekur në fitoren e Drenicës në “Fadil Vokrri” me rezultat 1:0.

“Ylli i javës për Ene Koliqin është i merituar sepse ai është një portier me super-karrierë që i ka dhënë Superligës vlerë të shtuar me praninë në të gjithë këtë kohë, por mos të shpallet yll i javës Altin Gjokaj pas një paraqitje briliante çmim që do ishte motivues jo vetëm për të, por të gjithë të rinjtë e tjerë në këtë vend është turp për një tufë vasalo-veteranësh të futbollit në këtë vend. Nëse mos-vlerësimi i këtij portieri të ri në një javë magjike që kaloi si portier debutues tashmë në Superligën tonë, e lidhin më gjëra të tjera jashtë futbollit. Turpi i mbuloftë! Ky është reagim personal i imi dhe nuk paraqet as përfshinë opinionin e klubit ku unë mbaj një pozitë drejtuese”, ka shkruar Taulant Dajaku në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”.

/Shqip.com