Lajme

Tase nuk kundërshton vendimin e gjykatës, u shpreh ngushëllime familjarëve të 7-vjeçarës, i kërkon falje Policisë

Polici i cili shkaktoi aksidentin ujor në plazhin e Potamit në të cilin vdiq një 7-vjecare sot nuk ka kundërshtuar vendimin e dhënë nga gjykata e Vlorës.

Siç raporton TCh, në seancë, ai ka ngushëlluar familjarët e Jonada Avdisë dhe i ka kërkuar falje Policisë së Shtetit.

Ish-shefi i komisariatit të Himarës, mori gomonen që ishte në pronësi të kushëririt të tij dhe po shëtiste në plazhin e Potamit tre ditë më parë.

Kurse, në ditën tragjike, gabimi i tij i shkaktoi vdekjen një vajze që po lahej në ujë. Helikat e gomones dëmtuan rëndë Jonada Avdian, që vdiq në vend.

Policia e referoi ngjarjen në Prokurori si vrasje nga pakujdesia, por Prokuroria e rëndoi më tej akuzën, duke e cilësuar vrasje me dashje.

Skafi në plazhin Potam ku mbeti e vdekur 7 vjeçarja, Foto: Esmeralda Keta/Facebook
Lexo edhe:
“Nuk e vrau varka por shteti”, qytetarët protestojnë para Ministrisë së Brendshme për vdekjen e Jonadës

Ashpërsimi i akuzës së ngritur ndaj ish-shefit të policisë, vjen pas verifikimit të pamjeve filmike në vendngjarje dhe dëshmive të pushuesve.

Grupi hetimor ka konkluduar se Arjan Tase ka patur mundësi për të parandaluar aksidentin fatal në një zonë të dedikuar për pushuesit.

“Disa nga pushuesit e kanë paralajmëruar se rrezikonte jetët e tyre me afrimin e skafit ne breg”, thuhet në konkluzionet e prokurorisë.

Referuar kodit penal me akuzën që pritet të përballet në Gjykatën e Vlorës, ish-efektivi rrezikon dënimin nga 10 deri në 20 vite burg.

Kurse, përballja e parë me togat e zeza pritet të bëhet paraditen e së premtes, ku ish-efektivi Tase do të njihet me masën e sigurisë dhe faktet e provat e mbledhura nga grupi hetimit.

Fillimisht ndaj ish-efektivit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Vlorës ngritën akuzën e ‘Vrasjes së kryer nga pakujdesia’, vepër kjo për të cilën kodi penal parashikon nga gjobë deri në 5 vite burgim./Shqip.com