Lajme

“Nuk e vrau varka por shteti”, qytetarët protestojnë para Ministrisë së Brendshme për vdekjen e Jonadës

Qindra qytetarë kanë dalë në protestë mbrëmjen e sotme para Ministrisë së Brendshme, pas ngjarjes tragjike të dy ditëve më parë në plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia u përplas për vdekje nga skafi i drejtuar nga oficeri Arjan Tase.

Siç raporton Abc News, me pankarta në duar qytetarët kanë kërkuar drejtësi, por edhe masa më të forta që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.

Një tjetër kërkesë e qytetarëve të pranishëm në protestë është edhe dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, Ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ish-shefi i policisë në Shqipëri , Arjan Tase, do të përballet në gjykatë me akuzën e ‘Vrasjes me dashje’ dhe jo për ‘Vrasje e kryer nga pakujdesia’.

Skafi në plazhin Potam ku mbeti e vdekur 7 vjeçarja, Foto: Esmeralda Keta/Facebook

Kjo është akuza me të cilën prokuroria do dërgojë në gjykatë për ish-efektivin, që paraditen e 2 Gushtit duke drejtuar një mjet lundrues goditi për vdekje 7-vjeçaren, Jonada Avdia.

Siç raporton Abc News, ashpërsimi i akuzës së ngritur ndaj ish-shefit të policisë, vjen pas verifikimit të pamjeve filmike në vendngjarje dhe dëshmive të pushuesve.

Grupi hetimor ka konkluduar se Arjan Tase ka patur mundësi për të parandaluar aksidentin fatal në një zonë të dedikuar për pushuesit.

“Disa nga pushuesit e kanë paralajmëruar se rrezikonte jetët e tyre me afrimin e skafit ne breg”, thuhet në konkluzionet e prokurorisë.

Referuar kodit penal me akuzën që pritet të përballet në Gjykatën e Vlorës, ish-efektivi rrezikon dënimin nga 10 deri në 20 vite burg.

Kurse, përballja e parë me togat e zeza pritet të bëhet paraditen e së premtes, ku ish-efektivi Tase do të njihet me masën e sigurisë dhe faktet e provat e mbledhura nga grupi hetimit.

Fillimisht ndaj ish-efektivit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Vlorës ngritën akuzën e ‘Vrasjes së kryer nga pakujdesia’, vepër kjo për të cilën kodi penal parashikon nga gjobë deri në 5 vite burgim./Shqip.com