Sport Ndërkombëtar

Tammy Abraham – “gjenerali i ri i ushtrisë romake”

Tammy Abraham

Banka rezervë ishte vendi ku e kalonte shumicën e kohës te Chelsea.

Andaj vendosi që t’i bashkohej “ushtrisë” së Jose Mourinhos, në kryeqyetin italian.

E “rrëmbeu” numrin nëntë në fanelë, të cilin për shumë vite e kishte djerstur një legjendë i quajtur Edin Dzeko.

Tammy Abraham i ka dhuruar edhe një fitore Romës, me golin e shënuar ndaj Torinos.

Kur po zhvillohej minuta e 33-të, shtatëgjati e dërgoi topin në rrjetë, ndërsa Mourinho e nisi festën në pankinë.

Goli i shënuar nga Abraham

Për 24 vjeçarin ky ishte goli i pestë këtë sezonë në Serie A, dëshmi tjetër që në Itali nuk ka ardhur “për sfilada të modës”.

Ndërsa, krahas golave ka regjistruar edhe dy asistime.

Me këtë gol të tij, tashmë Roma është vetëm tre pikë larg nga synimi i tyre – për këtë sezonë.

Vetëm katër larg Atalantës që është në vendin e katër, pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve.

Kompeticion në të cilin “The Special One” dëshiron që të rikthehet edhe një herë, e dëshiron edhe një biletë.

Deri në përfundim të kampionatit në Serie A, kanë mbetur edhe 24 gjiro, edhe 24 shanca që Abraham të vazhdojë shkëlqimin. T’i tregojë botës që 34 milionët e paguara për të, nuk kanë qenë çmim astronomik, por vlerë reale e një “diamanti” që po i rritet vlera dita e ditës./Shqip.com