Talenti i Schalke 04 i thotë po Kosovës

Përfaqësueses së Kosovës do t’i shtohet edhe një talenti i ri.
Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Arbnor Aliu, i cili aktualisht luan me ekipin e U19 të Schalke 04.
Lajmin e mirë e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës dhe vetë lojtari që iu drejtua tifozëve “Dardanëve” me një video-mesazh.

Ai është shprehur i lumtur që do të luajë për Kosovën dhe beson se do të japë më të mirën e tij.
“E kam zgjedhur Kosovën me zemër sepse prindërit vijnë nga Kosova dhe e di që me paraqitjen time në fanellën e Kosovës do ta bëj krenar familjen dhe veten time. Ndihem shumë i lumtur që do të jem pjesë e Dardanëve sepse kam punuar shumë për ta merituar këtë fanellë”, tha fillimisht ai.
Ai tregon se si ka vendosur të lë Gjermaninë për Kosovën.

“Normalisht se nuk ka qenë e lehtë të tërhiqem nga përfaqësimi i Gjermanisë sepse krejt çfarë kam arritur deri më tash është falë Gjermanisë, por në këtë aspekt e kam dëgjuar ndjenjën dhe zemrën time”, ka theksuar Aliu.
Ai në fund ka dhënë edhe një mesazh për tifozët Dardanët. “Pres me padurim të paraqitem në fanellën e Kosovës dhe t’i dëgjoj brohoritjet e tyre. U premtoj se do të jap maksimumin tim për të arritur sa më shumë suksese dhe për t’i bërë të gjithë krenarë”.
Arbnori luan si qendërmbrojtës dhe është ndër shpresat e mëdha të klubit gjerman, me të cilin ka kontratë deri në qershor të vitit 2024.
Talenti dhe përvoja e tij si lider janë të padiskutueshme, ngase që nga mosha e tij e hershme ishte pjesë e të gjitha ekipeve zinxhirë të Kombëtares së Gjermanisë, madje edhe në rolin e kapitenit.
Përndryshe, 19 vjeçari do të përfshihet fillimisht te Kombëtarja U21, por duke pasur parasysh potencialin dhe cilësitë që zotëron, pa dyshim se në të ardhmen e afërt pritet të jetë edhe në shërbim të Kombëtares A./Shqip.com