Lajme

Takimi me Blinken, Kurti: Jemi angazhuar në mënyrë konstruktive e kreative në dialogun me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani gjatë takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një deklaratë në profilin e tij pas takimit me Sekretarin Amerikan, Antony Blinken.

Kurti tha se takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit ishte “shumë i përzemërt”.

Ai tha se nga Blinken kanë kërkuar shtimin e investimeve amerikane në Kosovë si dhe rritjen e shkëmbimit tregtarë midis dy vendeve.

Gjithashtu, ka njoftuar se në takim kanë folur për punën e dialogut me Serbinë dhe ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për një marrëveshje ligjërisht obligative të përqëndruar në njohje reciproke.

“Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në takimin e 26 korrikut të mbajtur në Uashingon, Blinken falënderoi delegacionin e Kosovës për pritjen e afganëve dhe mbështetjen e Kosovës për Ukrainën.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti gjatë takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken

Ai po ashtu tha se kanë diskutuar edhe për “çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk dha më shumë detaje.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës, si dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Blinken në Twitter.

Lexo edhe:
Blinken: Kosova partner i palëkundur i SHBA-së, po punojmë për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme

Në një deklarim për media, pas takimit me Blinkenin, Osmani tha që takimi ishte i “shkëlqyeshëm” dhe edhe një herë u konfirmua që “Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë sesa SHBA-të”.

Osmani tha se kanë biseduar edhe për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për “rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë”.

Lexo edhe:
Osmani gjatë takimit me Blinken: Mbesim aleat të SHBA-së dhe BE-së për t’i ndaluar planet e Rusisë

Ky është takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit, në Uashington D.C.

Ndërkohë, më 27 korrik, krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MMC.

Këtë marrëveshje pritet ta nënshkruaj ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kjo pasi, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që Rizvanolli të autorizohet nga presidentja Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC)./Shqip.com