Lajme

Blinken: Kosova partner i palëkundur i SHBA-së, po punojmë për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti gjatë takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken

Ka nisur takimi ndërmjet sekretarit amerikan Antony Blinken me  presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ky është takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit, në Uashington D.C.

Blinken në hapje të takimit ka thënë se Kosova është partnere e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se dy shtetet kanë një histori të gjatë, teksa ka falënderuar Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Ukrainës pas agresionit rus.

“Kosova është partnere e palëkundur dhe e rëndësishme e SHBA-së. Ne jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme për SHBA-të dhe shtetin tuaj. Ju falënderoj edhe një herë që i keni mirëpritur afganët dhe që kemi parë mbështetje që nga dita e parë për Ukrainën. Keni punuar edhe në aspektet tjera, të cilën gjë e çmoj. Presidente e çmoj lidershipin tuaj.

Nesër do të nënshkruani kontratën me MCC për energji. Kemi bashkëpunuar për të gjitha këto çështje dhe kemi punuar në çështjet kritike të sigurisë rajonale. Faleminderit që keni ardhur, është nder dhe kënaqësi”, ka thënë Blinken.

Në anën tjetës, Osmani ka falënderuar sekretarin Blinken për takimin dhe ka thënë se populli i Kosovës është mirënjohës për kontributin e vazhdueshëm të SHBA-së për Kosovën.

Ajo ka thënë se ndihma amerikane ka qenë ekzistenciale për të arritur lirinë, në rrugën për pavarësi e në zhvillimin si demokraci.

“Siç e dini Vladimir Putin ka bërë përpjekje që të destabilizohet Ballkani Perëndimor, por ne vazhdojmë të mbesim aleatë me SHBA-në dhe BE-në për t’u siguruar që t’i ndalim planet e Rusisë“, ka thënë presidentja Osmani.

Ky është takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit, në Uashington D.C.

Ndërkohë, të mërkurën krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MMC.

Këtë marrëveshje pritet ta nënshkruaj ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kjo pasi, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që Rizvanolli të autorizohet nga presidentja Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Çfarë përfiton Kosova nga programi i MCC-së?

Kosova pritet të forcojë pavarësinë energjetike me Programin e ri Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe në të njëjtën kohë të kursejë miliona euro në vit.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC-ja mëton që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Lexo edhe:
Çfarë përfiton Kosova nga programi i MCC-së?- I cili po konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane

Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.

Pas nënshkrimit të Programit Kompakt, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë këtë marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave./Shqip.com