Lajme

Takimi Kurti-Vuçiq, shefja e UNMIK-ut bën thirrje për angazhim konstruktiv në procesin e dialogut

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh

Një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel, UNMIK ka lëshuar një reagim.

Përfaqësuesja e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, u ka bërë thirrje “të gjitha palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të mbajnë integritetin e procesit të dialogut”.

Në një komunikatë për media, Ziadeh citohet të ketë thënë që është e rëndësishme që të promovohet “një klimë e favorshme për dialog të mirëfilltë”.

Takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

“Është tejet e rëndësishme që të promovohet një klimë e favorshme për dialog të mirfilltë. Palët duhet të punojnë me mirëbesim për të adresuar çështjet e pazgjidhura, duke kapitalizuar angazhimin e 11 viteve të fundit dhe duke siguruar që të ndërtohet mbi të arriturat me mund në dialogun e lehtësuar nga BE-ja,” tha Ziadeh.

“Dialogu dhe kompromisi janë rruga e vetme e qëndrueshme drejt stabilitetit, prosperitetit dhe sigurisë për të gjithë,” deklaroi ajo.

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të takohen më 18 gusht me Kurtin dhe Vuçiqin në një takim tjetër të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel.

Takimi i tretë në nivel të lartë të dialogut Kosovë-Serbi është planifikuar të fillojë në ora 10:30.

Lexo edhe:
Një vit pas, takimi Kurti-Vuçiq synon zbutjen e tensioneve në terren

Aplikimi i masave të reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë ngriti tensione në veri të vendit.

E për këtë, Zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier tha për Shqip.com se gjatë takimit do të synohet “zbutja e tensionit aktual në terren”.

Takimi i fundit i nivelit të lartë politik Kurti-Vuçiq, është mbajtur në korrik të 2021-tës./Shqip.com