Lajme

Takimi i thirrur për 31 janar, ambasadori gjerman: Diskutimi për Asociacionin të vazhdojë përpara

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka shkruar se është e rëndësishme që diskutimet për formimin e Asociacionit të vazhdojnë përpara.

Duke shpërndarë në Twitter, një reagim të zyrtarit amerikan, Derek Chollet, ambasadori Rohde ka theksuar se pajtohet plotësisht me atë se çka ka shkruar Chollet.

“Jam plotësisht dakord: është shumë e rëndësishme të çojmë përpara diskutimin për Asociacionin. Është mirë të dëgjosh se ministri i Kosovës, Nenad Rashiq ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në diskutimin e planifikuar për Asociacionin më 31 janar në Ambasadën amerikane në Prishtinë”, ka shkruar Rohde.

Ditën e djeshme, zyrtari amerikan kishte njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Kurti, ku i ka kërkuar këtij të fundit, që të pranojë propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Lexo edhe:
Zyrtari i lartë amerikan i kërkon Kurtit ta pranojë urgjentisht planin franko-gjerman

Ndryshe, Ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë të ditur se më 31 janar do të organizohet një tryezë për të diskutuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në njoftimin e lëshuar, u tha se në takim janë ftuar një grup divers i liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve.

/Shqip.com