Lajme

Takimi i 18 marsit – Opozita skeptike për nënshkrimin e marrëveshjes

Seanca e Kuvendit të Kosovës

Të shtunën e 18 marsit qyteti i Ohrit në Maqedoni të Veriut, do të jetë nikoqir i takimit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Takimi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pritet me shumë interes, për faktin se marrëveshja e propozuar muajin e kaluar, pritet të marrë një epilog përfundimtar.

Deklarata e presidentit Vuçiq, se një herë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e pastaj nënshkrimi i aneks marrëveshjes, ka krijuar pesimizëm se 18 marsi do të jetë datë finale.

Opozita në Kosovë, e ka kritikuar në vazhdimësi kryeministrin Kurti për mos-transperencë sa i përket takimeve të zhvilluara në Bruksel, rreth asaj se çka është diskutuar e propozuar.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, është shprehur pesimist se në fundjavë mund të nënshkruhet një marrëveshje, krejt kjo për shkak të qëndrimeve të Vuçiq.

“Data e 18 marsit sigurisht se është e një rëndësie të veçantë për faktin se pritjet janë të mëdha. Unë i kam rezervat, duke u bazuar në deklaratat e palës serbe, që po e lidhin çdo gjë me çështjen e Asociacionit. Kjo është deklaratë edhe e emisarit Lajçak që po i lidhë këto me Asociacionin. Kjo është një padrejtësi ndaj palës kosovare, për faktin se marrëveshja e BE-së, është mbi Asociacionin dhe duhet që rëndësia të jetë mbi marrëveshjen e përgjithshme e jo ashtu siç po kërkohet nga pala serbe”, ka thënë Qalaj për Shqip.com.

Rashit Qalaj – Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

Deputeti i PDK-së, e ka dhënë edhe një predikim se kur mund të nënshkruhet marrëveshja, duke e përmendur edhe vendin.

“Unë mendoj se nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet me një datë tjetër, në muajin e ardhshëm, në një lokacion, që sipas gjitha gjasave do të jetë në Francë”, tha Qalaj.

Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka shpresa se marrëveshja mund të nënshkruhet më 18 mars.

Sipas saj, njohja reciproke duhet të jetë në qendër, përndryshe marrëveshja do të ishte e dëmshme për shtetin e Kosovës.

Rrezarta Krasniqi – Deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës

“Marrë për bazë zhvillimet e fundit, gjasat janë që më 18 mars të nënshkruhet marrëveshja finale mes dy vendeve, por do të ishte dëm i madh nëse mungon njohja reciproke dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve paraprake. Një marrëveshje e tillë mund të mos jetë stabile dhe do të përbënte kthim mbrapa për vendin”, tha për Shqip.com, deputetja Krasniqi.

Tutje, ajo thekson se Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen me palen serbe duke shkelur mbi çdo parim të tij që e kishte pasur sa ishte në opozitë, përfshirë këtu edhe formimin e Asociacionit.

Nga ana tjetër, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, duke akuzuar Kurtin se e ka mbajtur opinionin në terr informativ, deri tani, thekson se është e vështirë të besohet se do ketë nënshkrim të marrëveshjes.

Kjo Qeveri është jo transparente sepse deri tash nuk kemi as publikim të marrëveshjes e as asgjë tjetër. Ajo që ne jemi informuar është se kjo është një lloj njohje De Facto e pavarësisë së Kosovës. Po, përderisa është një situatë e tillë, ku informacioni është i mangët, nuk mund të them me saktësi se cilat janë pritjet. Po mendoj që nënshkrimi i marrëveshjes varet nga shumë faktorë dhe ndoshta kjo do të shtyhet për një datë tjetër”, tha Kadrijaj për Shqip.com.

Time Kadrijaj – Deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Sipas saj, e rëndësishme është që Kurti të mos nënshkruaj diçka që është e dëmshme për Kosovën dhe të mos ndodhë bosnjëzimi i vendit, ashtu siç ka ndodhur në shtetin fqinj.

Javën e fundit në Kosovë ka qëndruar emisari i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai ka zhvilluar takime edhe me liderët e opozitës, ku është njoftuar nga afër për qëndrimet e tyre.

Pas takimeve, ai ka deklaruar se “tash e kam të qartë se cili është qëndrimi i opozitës në Kosovë”.

Përveç Lajçakut, këto ditë në Kosovë pritet të jetë edhe i dërguari i SHBA-ve, Gabriel Escobar, i cili do të zhvillojë takime me spektrin politik në Kosovë.

/Shqip.com