Lajme

Tahiri: Pushteti i ri me qasje të vjetër të mos e degradojë më shumë Podujevën

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Podujevës, Besnik Tahiri, i ka bërë thirrje kryetarit aktual të kësaj komune, Shpejtim Bulliqit, “të ndalet dhe të mos e degradojë edhe më shumë Podujevën”.

Sipas tij, “pushteti i ri me qasje të vjetra po e lë Podujevën qytezë e jo qytet siç e meriton”, përcjell Shqip.com.

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se projekti i Hartës Zonale i Komunës së Podujevës “pa përfillur procedurat ka kaluar vlerësimin nga ministritë sektoriale”.

“Ky dokument e lë Podujevën qytezë dhe jo qytet siç e meriton dhe siç është njëri prej qyteteve më të mëdha në Kosovë me mbi 89 mijë banorë, me 633 kilometra katrorë dhe me një popullsi ku 57 për qind janë nën moshën 30 vjeç”.

“Që ta sqaroj edhe pak më shumë, Harta Zonale duhet të ketë harmoni të plotë me Planin Zhvillimor Komunal. E ky dokument i miratuar tash ka kontradikta, mangësi dhe dykuptimësi në raport me Planin Zhvillimor”, ka shkruar Tahiri, duke shtuar se është “joligjike dhe e pamundshme” që të implementohet Harta Zonale 2020-2028 dhe t’i paraprijë Planit Zhvillimor Komunal 2016-2025.

Pasi sipas tij, Harta Zonale e lë Podujevën qytezë e jo qytet “siç është në Planin Zhvillimor Komunal”.

“Këto dy dokumente duhet të jenë në harmoni sepse vështirë ndryshohen dhe prodhojnë pasoja të mëdha dhe për kohë të gjatë për qytetarët.

Harta Zonale duhet të projektoj një qytet atraktiv për të jetuar dhe për biznese e jo ta kthej Podujevën në qytezë”.

Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje, është zgjedhur kryetar i Podujevës 29 nëntor 2020. Ndërsa, zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 17 tetor 2021./SHQIP.com