Lajme

Tahiri: Një qeveri e përgjegjshme do të duhej të rriste pagat e jo t’i ulte ato

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kritikuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Sipas Tahirit, ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk ka të bëjë as me buxhetin, as me kursimin dhe as me ligjshmërinë.

“Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk ka të bëjë as me buxhetin, as me kursimin dhe as me ligjshmërinë. Ky vendim është përpjekje e paramenduar e Albin Kurtit, për të krijuar një krizë identitare ndaj atyre që punojnë për çdo ditë për rend dhe ligj” ka shkruar Tahiri.

Më tutje shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare ka thënë se një qeveri e përgjegjshme do të duhej të rriste pagat e jo t’i ulte ato.

“Në së paku 10 vitet e fundit, institucionet e Kosovës kanë ndërtuar një perspektivë ku organet e drejtësisë punojnë të pavarura, të pandikuara, të paanshme, që zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç e përcakton Kushtetuta, dhe që për punën e tyre marrin kompensim adekuat e meritor. Sot, kjo perspektivë u përmbys, nga kryeministri që po përmbysë çdo gjë të mirëfilltë, përballë mësymjes jo konvencionale me të cilën ai i është qasur qeverisjes.Përveç dimensionit social, ku në kohë inflacioni e stagnimi ekonomik, një qeveri e përgjegjshme do të duhej të rriste pagat e jo t’i ulte ato, madje jo vetëm për gjyqtarë e prokurorë por për të gjithë sektorin publik”.

Lexo edhe:
Pas vendimit të Qeverisë për uljen e pagave, Këshilli Gjyqësor e merr këtë vendim

Në konferencën për media, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka bërë të ditur se institucioni që ai perfaqëson kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të anuloj vendimin e Nr. 03/109 të ditës së sotme.

Përveç kësaj, ai ka bërë të ditur se puna e gjykatave reduktohet dhe do të vazhdoj vetëm për shërbime esenciale.

/Shqip.com