Lajme

Pas vendimit të Qeverisë për uljen e pagave, Këshilli Gjyqësor e merr këtë vendim

Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas mbledhjes së jashtëzakonshme ka dalë me disa vendime dhe thirrje për reflektim nga ekzekutivi.

Në konferencën për media, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka bërë të ditur se institucioni që ai perfaqëson kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të anuloj vendimin e Nr. 03/109 të ditës së sotme.

Përveç kësaj, ai ka bërë të ditur se puna e gjykatave reduktohet dhe do të vazhdoj vetëm për shërbime esenciale.

Sa i përket listës së shërbimeve esenciale, KGJK ka njoftuar se do të mbajë një takim me datë 24 nëntor.

Tutje, bëhet e ditur se këshilli dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në çdo aktivitet të organizuar apo ku janë prezent përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.

Lidhur me këto, Zogaj ka bërë të ditur se vendimi hyn në fuqi që nga dita e sotme.

Kujtojmë, se në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që pagat e gjyqtarëve dhe prokuroreve të ndryshohen.

Sipas kryeministrit, Albin Kurti pagat e zyrtarëve të sistemit gjyqësor do të bëhen në lartësinë e rregullimit juridik të vitit 2017, para vendimit për ndryshimin e pagave të kabinetit qeveritar.

/Shqip.com