Lajme

Tahiri: Ligji për Paga dhe ai për zyrtarë publikë vrasin shpresën e secilit punëtor shtetëror

Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri
Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Ligji për Zyrtarë publik dhe Ligji për Paga e vrasin shpresën e secilit zyrtarë shtetërorë.

Përmes një konference për media për të cilën ka raportuar Kosovapress, Tahiri tha se nuk ka vend në kontinent që në krizë ekonomike i zvogëlon rrogat.

“Këto dy ligje, Ligji për Zyrtarët Publik dhe Ligji i Pagave e vrasin shpresën e secilit zyrtar shtetëror, zyrtar në Administratë të shtetit për një karrierë të mirëfilltë profesionale dhe për një rrogë të dinjitetshme. Nuk ka vend në kontinent, i cili në këtë krizë ekonomike dhe pas pandemisë, i zvogëlon rrogat. Sot gjyqtarët, prokurorët, një numër i madh i zyrtarëve publikë janë në ethe dhe janë pa shpresë nga dy ligje që në fakt janë sëmundje dhe virusi më i madh që i ka hyrë administratës shtetërore tash e 20 vjet”, tha Tahiri.

Lidhur me këto vendime, Tahiri thotë se qëllimi është deformimi i sistemit në administratë dhe të bëhet kapja e shtetit.

“Qëllimi është shumë i thjeshtë: të deformohet sistemi në administratë, të bëhet kapja e shtetit me ligj dhe në të njëjtën kohë të stimulohet nepotizmi, klientelizmi politik dhe qe besa edhe korrupsioni. Këto dy ligje nuk duhet të kalojnë në këtë formë, të kalojnë në Kuvend në qoftë se nuk amandamentohen dhe duhet në çdo formë t’i ndalim deri tek apelimi në Gjykatën Kushtetuese. E ka mbajtur peng Kosovën, qytetarët e Kosovës, të punësuarit në sektorin publik që 20 muaj duke folur për Ligjin për pagat dhe në fund i ka kaluar dy ligje që e vret shpresën e secilit të punësuar”.

Miratohet Projektligji për Paga dhe ai për zyrtarë publik – SHQIP.com

Në mbledhjen e 109 të Qeverisë së Kosovës është miratuar Projektligji për Pagat e Sektorit Publik si dhe ai për Zyrtarët Publik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Projektligji për Pagat po krijon Kosovës sistem të unifikuar.

“Shqyrtimi i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik i cili për herë të parë po krijon në Kosovë sistemin e unifikuar të pagave. Ky sistem ka në thelb drejtësinë dhe rregullimin e pagës për të gjithë të punësuarit që paguhen përmes buxhetit të shtetit. Propozimi i sotëm i kushton rendësi të madhe kualifikimeve, rëndësisë shtetërore të pozitës , përvojës, shkallës së vështirësisë, kufizimit të të drejtave të përgjithshme, ku kryefjalë ka trajtimin e barabartë dhe të drejtë”, tha Kurti.

Kurti tha se askush nuk mund ta ketë pagën më të madhe se pesëfishi i pagës me të ulët në administratën publike.

“Ne jemi interesuar që të zvogëlohet dukshëm dallimi në mes pagës më të lartë dhe asaj me të ulët nga 20 herë sa është sot në 4.78 herë midis kreut të shtetit dhe zyrtarit më të thjeshtë në hierarkinë shtetërore. Askush nuk mund të paguhet më shumë se pesëfishi i pagës me të ulët në administratën tonë”.

Ndërsa, për Projektligji për Zyrtarët Publik, Kurti tha se adreson problematika me të cilat është përballur administrata shtetërore ndër vite.

/Shqip.com