Lajme Kryeshefja e Inspektoratit Farmaceutik tregon për Shqip.com se këto medikamente nuk lejohet të shiten pa recetë për shkak të rreziqeve që mund t’i shkaktojnë

Tabletat për shtyrjen e ciklit menstrual shiten pa recetë, gjinekologia tregon rreziqet

Tableta

Një pjesë e farmacive në vend po shesin tableta për shtyrjen e ciklit menstrual pa recetë.

Në veçanti kjo po thuhet se ndodh gjatë sezonit të pushimeve verore.

Farmacistja Laureta Berisha- Kosumi thotë për Shqip.com se gratë pa ndonjë konsultim me gjinekologun i marrin ato me qëllim të shtyrje të ciklit gjatë pushimeve verore.

“Kërkesa e madhe për të marrë tableta për shtyrje të ciklit rritet shumë, sidomos gjatë stinës së verës në kohën e pushimeve. Këto tableta hormonale në mbi 90% të rasteve na kërkojnë pa asnjë konsultë me mjekun gjinekolog, merren vetëm pse dikush nga miqtë ose familjarët i kanë informuar që ekzistojnë dhe i kërkojnë pa asnjë mëdyshje apo frikë që mund t’ju ndodhë diçka”, theksoi Laureta.

Berisha- Kosumi thotë se farmacitë i shesin ato në barrë të klientëve të cilët nuk kanë njohuri mbi efektet anësore.

“Barnat e tilla hormonale nuk është e lejuar ligjërisht të shiten pa recetë, mirëpo mos të harrojmë se ka farmaci që i japin pa mëdyshjen më të vogël, qoftë në mungesë të vetëdijes për dëmet e mundshme apo/edhe idesë që të mos e kthejnë pacientin dhe këso forme të mos humbin klientët, gjë e cila është tërësisht e gabuar dhe ofron mundësinë që secili të shoh të lehtë qasjen në marrjen e cilitdo bar që u shkon mendja”, shton Berisha-Kosumi.

Megjithatë, kryeshefja e Inspektoratit Farmaceutik, Remzie Thaqi, thotë se nga qytetarët nuk kanë marrë ankesa për shitjen e tyre pa recetë.

“Asnjë ankesë nuk na ka ardhur në lidhje me shitjen e këtyre medikamenteve pa recetë. Ndërsa këto produkte nuk duhet të jepen pa recetën e mjekut, sepse janë produkte që mund të shkaktojnë efekte të ndryshme anësore”, ka thënë Thaqi për Shqip.com.

Por, cilat janë rreziqet nga përdorimi i panevojshëm i tyre?

Barnat për shtyrje të ciklit menstrual sugjerohen për gratë që kanë cikël jo të rregullt.

Gjinekologia Drita Kabashi thotë se përdorimi i tyre nga gratë që nuk kanë probleme, mund të shkaktoj një varg efektesh anësore.

“Ndryshimi i disponimit, dhimbja e kokës, të vjellat, ndjeshmëria e gjinjve, depresioni, dëshira e humbur seksuale, përgjumësia, mpirja, problemet e tretjes, dhimbja e muskujve, reaksionet alergjike e infeksionet fungale janë disa nga efektet anësore të këtyre tabletave”, tha Kabashi.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se hulumtimet e reja kanë treguar mund të shkaktojnë edhe krijimin e gurëve.

“Tek gratë duhanpirëse, rreziku nga infarkti është pesë herë më i madh, sidomos tek personat mbi 35 vjeç dhe tek ato që vuajnë nga mbipesha. Tek një përqindje e vogël e grave mund të krijohet mpiksja e gjakut në këmbë dhe në mushkëri. Tabletat mund të shkaktojnë edhe krijimin e gurëve, kanë treguar hulumtimet e reja. Nuk preferohet rrezitja sepse krijohen njolla kafe në lëkurë”, shtoi ajo.

Farmacistja Berisha- Kosumi tregon se cilët persona duhet t’ju shmangën këtyre tabletave për shkak të rreziqeve të mundshme.

 “Personat alergjik ndaj norethisteronit ose ndonjë përbërës tjetër të këtij bari,  shtatzënat ose nëse mendoni se mund të jeni shtatzënë, nëse jeni gji dhënëse, nëse keni pasur ndonjë problem me qarkullimin e gjakut. Kjo përfshin një koagulim gjaku (trombozë) në këmbë (trombozë e thellë në venë), mushkëri, zemër, tru ose në ndonjë pjesë tjetër të trupit si dhe nëse keni njolla kafe në fytyrë si melasma, duhet të shmangni ekspozimin ndaj diellit dhe dritës ultravjollcë gjatë marrjes së këtij bari. Atëherë lind pyetja se ku qëndron logjika e marrjes së këtij bari për shtyrje të ciklit në kohë pushimesh, ku marrja e të cilit bëhet duke shmangur ekspozimin në diell”, tha farmacistja Berisha-Kosumi.

Tabletat për cikël menstrual nuk janë të vetmet që shitën pa recetë të mjekut.

Shqip.com përmes emisionit n ‘Shënjestër ka pasqyruar “tregun e sëmurë” farmaceutik të shitjes së medikamenteve qetësuese pa recetë.

Si rezultat, në Klinikën e Psikiatrisë pranë QKUK-së ishin rritur rastet e pacientëve që kërkonin trajtim nga varësia ndaj tyre.

Për më shumë lexoni: