Lajme

Kostoja e të folurit online: Dhuna në Shqipëri në rritje

Bullizmi online në rrjetet sociale. Fotografi ilustruese
Bullizmi online në rrjetet sociale. Fotografi ilustruese

“Që kur kam hapur blogun tim për promovimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës, kam pasur vazhdimisht sulme në rrjetet sociale”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zhaklinë Lekatari.

Ajo është një ndër aktivistet më të zëshme në Shqipëri në mbrojtje të të drejtave të vajzave dhe grave, e gjithashtu autore e blogut “Tabu.al”, të cilin e ka hapur shtatë vjet më parë.

Autoritetet shqiptare pranojnë se fenomeni i dhunës online është bërë shqetësim dhe se duhet adresuar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në vitin 2023 kishte rritje për 40% të veprave penale në fushën e krimit kibernetik, të regjistruara nga policia.

Nga 756 vepra të tilla, 70% lidheshin me keqpërdorimin e rrjeteve sociale. Raporte të organizatave të ndryshme e evidentojnë, gjithashtu, dhunën online, me mesazhe denigruese dhe bullizuese kundër vajzave dhe grave.

Lekatari: Dhuna virtuale po shfaqet fuqishëm

Lekatari thotë se hapësirat virtuale po bëhen vende krimi.

Sipas saj, dhuna me bazë gjinore ndaj vajzave dhe grave, rrënjët i ka shumë të thella – “në traditat dhe zakonet patriarkale”.

“Dhunuesi patriarkal, respektimi i një sistemi të ‘nderit dhe turpit’, zakone, urdhra që vijnë nga një hierarki e mirëkonsoliduar dhe e mirëtrashëguar brenda familjes dhe ky kontroll që ndodh brez pas brezi, shfaqen në mënyrë të vazhdueshme… Dhuna virtuale është vetëm një mënyrë e re, në të cilën ky fenomen – që nuk është aspak i ri – po shfaqet fuqishëm”, thotë Lekatari.

“Që kur kam hapur blogun tim për promovimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës, sulmet kanë qenë sistematike. Sa herë që dal të promovoj lirinë e të menduarit dhe të zgjedhurit, ato janë të vazhdueshme”, shton aktivistja.

Ajo tregon se i ka denoncuar të gjitha rastet në polici dhe apelon te të gjitha gratë dhe vajzat që ta bëjnë këtë gjë.

“Sigurisht që i kam denoncuar. Jam munduar t’i denoncoj të gjitha ato raste në të cilat e kam ditur se kush është dhunuesi im. Edhe kur [sulmet] kanë ardhur nga persona anonimë. Mendoj që çdo qytetar i përgjegjshëm duhet t’i çojë kauzat e veta në nivele të larta, në mënyrë që ato të bëhen precedent për raste të tjera, për gra dhe vajza të tjera”, thotë Lekatari.

“Një në dy gra kanë përjetuar dhunë”

Estela Bulku, përfaqësuese e organizatës UN Women në Shqipëri, thotë për Radion Evropa e Lirë se dhuna me bazë gjinore, veçanërisht ajo ndaj grave e vajzave, është fenomen shumë i përhapur në Shqipëri.

Ajo thotë se mbetet një prioritet për t’u adresuar përmes politikave, programeve dhe masave të përditshme nga shumë aktorë shoqërorë.

“Vrojtimi kombëtar i fundit, i kryer në vitin 2018 nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë, në bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, tregoi se një në dy gra të moshës 18-74 vjeçe kanë përjetuar një ose disa forma të ndryshme dhune: fizike, seksuale, psikologjike apo ekonomike gjatë jetës”, thotë drejtorja e programeve të Un Women në Shqipëri.

“Një nga format ishte edhe përndjekja – 8.9 % e grave raportuan se kishin marrë thirrje telefonike kërcënuese dhe fyese dhe 6.4 % e tyre emaile, mesazhe me tekst apo në rrjetet sociale, që ishin fyese apo kërcënuese”, shton Bulku.

Sipas saj, dhuna me bazë gjinore përmes teknologjisë është fenomen i kohëve të fundit, porse të dhënat janë shqetësuese.

Ajo thotë se në vitin 2023, UN Women ka bërë një studim të fokusuar te dhuna ndaj grave përmes teknologjisë, me rreth 12 mijë gra e vajza të moshës 15-65 vjeçe, në 13 shtete të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.

Studimi, sipas saj, ka treguar se në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, ka më pak dhunë online.

“Megjithatë, 41 për qind e grave shqiptare aktive në internet kanë përjetuar gjatë jetës së tyre një nga format e dhunës përmes teknologjisë, më pas vjen Kosova me 43.3 %, Serbia me 55.8 %, ndërsa Maqedonia e Veriut mban vendin e parë me 62 %”, thotë Bulku.

Ajo sqaron se dhuna online, kryesisht, ushtrohet nga të panjohur, por se ka raste edhe nga partneri, ish-partneri apo anëtarë të tjerë të familjes apo kolegë.

“Kjo formë dhune prek katër herë më shumë grup-moshën 18-24 vjeçe, sesa gratë mbi 65 vjeçe. Pra, rreziku për t’u ekspozuar ndaj dhunës, është më i lartë për gratë që kalojnë më shumë kohë në internet”, thotë Bulku.

Ajo, po ashtu, thekson se gratë me profil publik preken më së shumti nga kjo dukuri.

Sipas një studimi të fundit të UN Women dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilin e citon Bulku, “gratë e vajzat e reja, gratë me aftësi të kufizuara, personat LGBTI, gratë e minoriteteve dhe gratë emigrante kanë më shumë gjasa që të përjetojmë më shumë forma ekstreme të dhunës digjitale”.

Në Shqipëri, platforma ku ka më shumë dhunë online ndaj vajzave dhe grave është Instagrami, por edhe Tik-Toku e Facebook, thotë Bulku.

Dhuna online dhe rastet që tronditën Shqipërinë

Në një seancë parlamentare, muajin e kaluar, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, tha se vendi duhet ta përafrojë legjislacionin me Bashkimin Evropian sa i përket sigurisë digjitale dhe se është gati të firmosë aktin e tregjeve digjitale, për t’i garantuar çdo qytetari shqiptar më shumë siguri.

Ai iu referua rastit të një 41-vjeçareje, e cila u vetëvra më 2 janar të këtij viti, pas, siç u raportua, sulmeve dhe denigrimit online që iu bë figurës së saj.

“Rasti i Bedrie Lokës, e cila u bë target i një sulmi të tillë, duhet të na bëjë të jemi të ndërgjegjshëm se këto lloje sulmesh çojnë deri në akte të rënda, siç është humbja e jetës”, tha Balla në Kuvend.

Tash për tash, nuk ka ende ndonjë risi ligjore.

Loka i dha fund jetës në ditët e para të këtij viti, pasi në rrjetet sociale ishte hapur një profil me fotografinë e saj, ku ajo fyhej dhe denigrohej.

Policia e arrestoi bashkëshortin e Lokës – nënë e katër fëmijëve – i cili u akuzua për dhunë të vazhdueshme ndaj saj.

Njëkohësisht, strukturat e specializuara për hetimin e krimeve kibernetike kryen disa veprime për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin apo autoren e keqpërdorimit të të dhënave të viktimës në rrjetin social, TikTok.

Hetimet për këtë rast kishin nisur një vit para ngjarjes së rëndë dhe autoritetet thanë se çështja është ende nën hetime.

Vetëm një muaj më vonë, në periferi të Tiranës, një 27-vjeçare – nënë e një vajze të mitur – i dha fund jetës, pasi, siç u raportua në media, u shantazhua online se do t’i publikonin një fotografi intime.

Personi që e kishte kërcënuar, u arrestua nga policia.

REL-i nuk arriti të sigurojë ndonjë të dhënë se sa raste, në total, janë duke u ndjekur penalisht këtë vit.

“Sa kushton dhuna?”

Lekatari thotë se institucioneve u mungon vullneti për një qasje gjithëpërfshirëse kundër atij që e ajo e cilëson si “sistem të dhunës dhe sistem të patriarkatit”.

Aktivistja thotë, gjithashtu, se ka një mungesë të kulturës dhe edukimit me strategji afatgjate.

Sipas saj, institucionet nuk e kanë menduar ende se “sa kushton dhuna”.

“Nëse bëjmë një analizë se sa autorë janë të akuzuar për dhunë, vrasje, përdhunime, shohim se dhuna na kushton shumë. Ka shumë investime në institucionet e rendit dhe drejtësisë dhe rezultati është kjo dhunë në rritje dhe e vazhdueshme”, thotë ajo.

Sipas Lekatarit, edukimi dhe ndërgjegjësimi janë elemente të qenësishme për adresimin e çështjes.

“Denoncimi është, padyshim, hapi i parë drejt lirisë, ndonëse është një moment shumë i vështirë. Viktimat e dhunës online kanë nevojë për mbështetje nga familja, institucionet, shoqëria civile, ndaj e kanë të vështirë gratë shqiptare të denoncojnë. Fakti që nuk janë të pavarura ekonomikisht, është një element tjetër që duhet përmendur”, sipas saj.

Ajo, po ashtu, thekson se duhet të ketë ligje që i vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që përdorin gjuhë bullizuese apo denigruese online.

Kodi Penal në Shqipëri, ngjashëm sikurse edhe në Kosovë, nuk ka ndonjë nen të veçantë për bullizmin në rrjetet sociale. /REL

/Shqip.com