Lajme

Sveçla: Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e Veriut

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Kreu i MPB-së, Xhelal Sveçla, është lajmëruar në profilin e tij në “Facebook” pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës dhe bastisjes në shtatë lokacione, prej ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armëve të llojeve të ndryshme.

Sveçla thotë se me bastisjet e sotme ka vijuar zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës.

Lexo edhe:
Pas aksionit në Veri, Policia tregon armatimin e gjetur në një ndërtesë (Foto)

Armët e kapura, Sveçla thotë se janë prodhime të njëjta me ato që janë sekuestruar në Banjskë dhe Zveçan dhe sipas tij ato e qartësojnë për Kosovën dhe për opinionin ndërkombëtar për gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.

Reagimi i plotë: 

Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë.

Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë.

Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.

Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës.

/Shqip.com