Sveçla për sanksionimin e grupeve kriminale: U legjitimua lufta kundër krimit të organizuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u shpreh se me vendimin për sanksionimin e grupeve kriminale në veri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u legjitimua lufta kundër grupeve kriminale të krimit të organizuar.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se mirëpret sanksionin e SHBA-së ndaj grupit kriminal me fushëveprim në Serbi dhe Kosovë duke “ritheksuar se mbesim të pakompromis në luftimin e krimit, kontrabandës e korrupsionit që cenojnë rendin dhe sigurinë.
“Nga aksioni i fundit i Policisë së Kosovës në 4 rajone të Kosovës me qëllim të goditjes së kontrabandës, në veri të Kosovës kishte rezistencë ndaj këtij aksioni me ç’rast mbetën të lënduar disa zyrtar policor e dëme të mëdha materiale.
Sot u legjitimua lufta jonë ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar, specifikisht në veri, ku struktura të caktuara kanë rezistuar saherë kanë qenë cak i shkatërrimit”, shkroi ndër tjerash Sveçla.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.
Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.
Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.
Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë edhe Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq./SHQIP.com