Sveçla: Dënimi ndaj dhunueseve të jetë maksimal, janë arrestuar edhe 2 persona të tjerë të dyshuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me rastin e dhunimit të një vajze 11-vjeçare nga pesë persona në Prishtinë.
Sveçla, ka thënë se e kupton shqetësimin e secilit prind dhe se dënimi ndaj kriminelëve të tillë duhet të jetë maksimal.
“Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë. Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal.”, ka shkruajtur Sveçla.
Tutje Ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla ka thënë se vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurt për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër.
Gjatë ditës së sotme është publikuar dosja e prokurorit lidhur me rastin e dhunimit të së miturës dje nga disa persona në Prishtinë.
Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar Kallxo.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht./Shqip.com