Lajme

Sveçla: Aksioni në Brezovicë nuk kishte cak etni të caktuar

Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme

“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo etnive të caktuara”.

Kështu ka thënë Xhelal Sveçla, ministri i brendshëm – teksa e përshkroi sit ë suksesshëm aksionin e së martës së Policisë së Kosovës në Brezovicë.

Nga ai aksion është arrestuar edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

Rasti i tij në Serbi është lidhur si “përpjekje për të frikësuar popullin serb në Kosovë”.

“Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë e Kosovës, mbesim të përkushtuar të ofrojmë siguri, rend dhe ligj për gjithë qytetarët tanë. Shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Aksioni në Shtërpcë

Dhjetë persona janë arrestuar të martën në Shtërpcë gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për ndërtime pa leje, përcjell Shqip.com.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ndër të arrestuarit është edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, dhe disa zyrtarë tjerë dhe pronarë të firmave.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë janë duke e zhvilluar një aksion në komunën e Shtërpcës.

Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Personat e arrestuar dyshohet se kanë kryer veprat penale si “marrja e ryshfetit”, “dhënia e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Po ashtu, Prokuroria bëri të ditur se pas përfundimit të operacionit, detajet tjera do të bëhen publike./SHQIP.COM