Lajme

Suspendohet nga puna oficeri doganor që u arrestua në rastin “Brezovica”

Aksioni në Brezovicë

Një oficer doganor është suspenduar nga puna.

Kjo u bë e ditur nga Dogana e Kosovës, e cila në një komunikatë për media ka thënë se me të pranuar njoftimin zyrtar për arrestimin e zyrtarit doganor në rastin “Brezovica”, ai është suspenduar nga puna.

“Procedimi disiplinor do te vijoj për të shqyrtuar veprimet tjera disiplinore. Dogana e Kosovës përkrah dhe mirëpret veprimet ligjore që ndihmojnë në luftimin e korrupsionit dhe siguron publikun se nuk do të tolerojë veprime jo etike dhe jo ligjore në rangjet e veta.

Rikujtojmë publikun se Dogana ka lansuar aplikacionin e Dogana, i cili krahas mënyrave tjera mundëson raportimin e korrupsionit dhe kontrabandës në mënyrë krejtësisht anonime dhe të sigurte”.

Ndryshe, në aksionin e katër të koduar si “Brezovica” janë arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica” dhe një doganier.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të njëjtit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Të njëjtit dyshohen për marrje dhe dhënie ryshfeti, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Vërejtje: Të gjithë personat e lartpërmendur si të dyshuar, konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kosovës./Shqip.com