Lajme

Supremja hedh poshtë ankesën për Kryeprokurorin e Shtetit

Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën e Shqipdon Fazliut, një prej kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, i cili ka ushtruar ankesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së procesit.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor e parashtruar nga paditësi, Shqipdon Fazliu, kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit- Departamenti për Çështje Administrative në Prishtinë”- thuhet në arsyetim të vendimit, të cilin e ka siguruar gazeta online reporteri.al.

Supremja e vlerësoi si të drejtë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe atë të Themelores në Prishtinë, të cilat kanë gjetur se padia e paditësit është e pasafatshme dhe si e tillë hidhet poshtë.

“Gjykata Supreme i shqyrtoi edhe pretendimet e tjera të theksuara si në kërkesë por i vlerësoi si jo me ndikim për të vendosur ndryshe në këtë çështje nga ajo e vendosur nga gjykata e instancave më të ulëta. Prandaj mbi këtë gjendje të fakteve si më lartë kolegji i Gjykatës Supreme i vlerëson si të drejtë dhe të ligjshëm vendimet e gjykatave më të ulëta sepse është vërtetuar në mënyrë të plotë çështja në shqyrtim, dhe drejtë kanë aplikuar dispozitat ligjore të Ligjit të Procedurës Administrative, Ligjit për Konflikte Administrative dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore”, sqarohet në aktgjykimin e Supremes. Instanca e tretë më tej ka theksuar se aktvendimet, po ashtu, nuk janë të përfshira në shkelje procedurale.

“Aktvendimet e kontestuara nuk janë të përfshirë me shkelje procedurale apo me zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Aktvendimet e atakuara me kërkesë janë të qartë dhe të arsyetuar mjaftueshëm lidhur me faktet vendimtare, të cilat i aprovon edhe kjo gjykatë”, thotë Supremja.

/Shqip.com