Lajme

Suma e quan të drejtë vendimin për anulim të zgjedhjeve në Han të Elezit

Kanidati i pavarur për kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma

Kryetari i tanishëm i Hanit të Elezit, njëherësh edhe kandidat për kryetar në zgjedhjet e 17 tetorit, Rufki Suma, e ka quajtur të drejtë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa për anulimin e zgjedhjeve në këtë komunë.

Sipas tij, një vendim i tillë ka qenë i pritshëm, pasi siç ka thënë, kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Mehmet Ballazhi, i cili doli fitues në zgjedhjet e 17 tetorit, ka bërë shkelje.

Lexo edhe:
Hani i Elezit shkon në rivotim

“Vendim i drejtë dhe i pritshëm sepse kemi parë që kandidati i PDK-së ka bërë shkelje duke vizituar të gjitha vendvotimet në ditën e zgjedhjeve, kjo është në kundërshtim me ligjet në fuqi”, ka deklaruar Suma për Shqip.com.

Ai po ashtu pretendon se ka pasur shitblerje të votave nga PDK-ja në Han të Elezit.

Kandidatët për kryetar të Hanit të Elezit

“Ka pasur persona që kanë ardhur tek unë që kanë treguar se e kanë shitur votën e tyre, por ka edhe persona të tjerë që kanë publikuar informacione të tilla në mjetet e informimit. Ka variante dhe deklarata të ndryshme flitet që ka shitje të shtatë apo tetë votave për 100 euro”.

I pyetur se a pret që në raundin e dytë të dalë fitues, ka thënë se “mendoj se po dhe shpresoj që të mos ketë presione dhe ndikim te votuesit”.

Në zgjedhjet 17 tetorit, Ballazhi i PDK-së doli fitues me 50.98 për qind të votave të përgjithshme, ndërsa Suma i dyti me 42.47 për qind të votave. Suma është në krye të Hanit të Elezit që nga viti 2007./SHQIP.com