Lajme

Stoltenberg: Rast historik për paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se mirëpret qasjen konstruktive nga Kosova dhe Serbia në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se tani është një “rast historik” për të arritur paqe të qëndrueshme.

Këto deklarata ai i bëri pas takimit në Bruksel me presidentin Bajram Begaj, i cili po ashtu shprehu mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve.

“Ne bashkëpunojmë me Bashkimin Evropian dhe mirëpresim takimet në Bruksel në kuadër të dialogut. NATO do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm këtë dialog sepse e shohim si rrugën e vetme të duhur për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Kemi një rast historik për paqe të qëndrueshme dhe mirëpres qasjen konstruktive. Është me rëndësi që të dyja palët të dëshmojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. Secila zgjidhje duhet të ketë parasysh të drejtat e njeriut, fqinjësisë së mirë dhe sundimit të ligjit”, tha shefi i NATO-s.

Theksojmë se takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të enjten dhe të premten do të qëndrojë në Prishtinë për takime me liderë të institucioneve të Kosovës, por edhe me përfaqësues të opozitës.

Lajçak në Prishtinë do të qëndrojë më 9 dhe 10 mars, ndërsa me datat 13 dhe 14 do të qëndrojë në Beograd.

/Shqip.com