Lajme

Stoltenberg pritet të mbetet edhe për një vit në krye të NATO-s

Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s
Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s

Jens Stoltenberg pritet t’i kërkohet të qëndrojë si sekretar i përgjithshëm i NATO-s edhe për një vit, raporton reuters, duke cituar burime të paidentifikuara, pasi aleanca ushtarake nuk po arrin t’i bie dakord për pasardhësin e norvegjezit përpara një samiti në mes të korrikut në Lituani.

Stoltenberg, një norvegjez që kaloi nëntë vjet në këtë post dhe do të largohet në fund të shtatorit, ka mbështetje të gjerë në aleancë dhe vazhdon të jetë një udhëheqës efektiv, tha një burim për Reuters në kushte anonimiteti.

“Administrata (Biden) po e konsideron mundësinë që Stoltenbergut t’i zgjatet mandati edhe për një vit”, tha zyrtari amerikan, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti.

Perspektiva që Stoltenberg t’i kërkohet të zgjasë mandatin për herë të katërt është rritur me afrimin e samitit të Vilnius, me aleatët që kanë frikë nga një shfaqje e përçarjes ndërsa NATO vazhdon t’i përgjigjet luftës së Rusisë në Ukrainë.

/Shqip.com