Kulturë

Stefan Cvajg, shkrimtari që theu rekord duke u bërë më i përkthyeri në botë

Në vitet 1920 dhe 1930, rezultoi si shkrimtari më i përkthyer i asaj kohe.

Romancieri e dramaturgu, Stefan Cvajg, njihet për veprat e dramat e tij shpeshherë të aspektit psikologjik.

Krizat sociale e psikologjike, si prostitucioni bixhozi, e vetëvrasja ishin të përfolura në shumë prej veprave të tij.

Ai është i njohur për novelat si “Frika”, “Letër nga një grua e panjohur”, “Konfuzioni i ndjenjave”, “Njëzet e katër orë në jetën e një gruaje” dhe “Loja mbretërore”.

Pasionin për shkrimin Cvajg, e kishte qysh kur ishte në shkollë, ai dërgonte artikuj e poezi në revista të ndryshme shkollore.

Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, ai u rekrutua dhe u caktua në Arkivin Austriak të Ministrisë së Luftës. Gjatë kësaj kohe, ai shkroi dramën kundër luftës ‘Jeremiah’ në të cilën shfaqi edhe pacifizmin e tij.

Përvoja e tij nga Lufta e Parë Botërore e kishte bërë atë një pacifist, i cili avokonte për bashkimin e Evropës.

Nderkaq gjatë kohës së Hitlert, sulmet anti-hebrenj u shtuan në fillim të viteve 1930, dhe Cvajg u akuzua në mënyrë se nuk shkruante gjermanishten ‘e duhur’, gjë që rezultoi në ndalimin e librave të tij në Gjermani.

Në vitin 1934, librat e tij u dogjën dhe ndërsa fashizmi fitoi popullaritet në Austri, shtëpia e tij u kontrollua nga policia më vonë atë vit, duke e shtyrë atë të largohej përgjithmonë nga vendi.

Nga këto eksperienca, ai shfaqte edhe copëza të torturës në veprat e tij si në romanin “Kujdes nga keqardhja”, novela “Historia e shahut”, apo biografia e Marisë, Mbretëreshës së Skocisë, ku shpesh shfaqte personazhe të torturuar në situata të rrezikshme.

Më poshtë i gjeni edhe disa fragmente nga veprat më të njohura të Stefan Cvajg.

“Novela e Shahut”

“Shahu është e vetmja nga të gjitha lojërat që ka shpikur njeriu, që s’është pjellë e rastit, por kurorëzohet me dafinat e lavdisë në sajë të zgjuarsisë ose të një forme të veçantë të mendjes që quhet talent. Shahu s’është as shkencë, as art por qëndron midis këtyre dy koncepteve. Në këtë lojë shkrihen koncepte që janë në kundërshtim me njëri tjetrin. Kjo lojë është e re dhe e lashtë njëkohësisht. Në themel është diçka mekanike, por vepron nëpërmjet fantazisë, është e kufizuar në një hapësirë të ngushtë gjeometrike dhe njëkohësisht është e pakufishme në kombinimet e saj; zhvillohet gjithnjë dhe është krejt shterpë; është një mendim pa rrugëdalje, është një matematikë që nuk llogarit asgjë, një art pa vepra, një arkitekturë e ndërtuar pa lëndë arkitekture.”

“Edhe mendimet kanë nevojë për një pikëmbështetje, se përndryshe edhe ato fillojnë të vërtiten rreth vetës së tyre: edhe ato s’durojnë dot zbrazëtirën.”

“Loja e shahut ka një veti të çuditshme: mendja punon në një fushë të kufizuar, mirëpo truri nuk kridhet në plogështi, përkundrazi bëhet më i gjallë e më i mprehtë.”

“Njeriu e zbulon veten në lojë, kjo është një e vërtetë që e njohin të gjithë.”

Novela: ‘Rrugica nën dritën e hënës’

“Më pushtoi vetëm një ndjenjë; nuk ndodhte asgjë për mua e megjithatë, gjithçka më takonte – kjo ishte ndjenjë e këndshme e një ngjarje që nuk e jetoja por, e kuptoja thellë që, bënte pjesë në burimin e gjallë të shpirtit tim dhe më lidhte padashur me të panjohurën.”