Lajme

Stano: Federata e Boksit e Kosovës të trajtohet njësoj si të tjerat

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Unioni e mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja nëpër gara ndërkombëtare.

Kjo deklaratë e tij erdhi pasi ekipit kosovar të boksit i është ndaluar hyrja në Serbi.

Ata kishin provuar tri herë të hynë në shtetin serb. Por, s’u lejuan.

Arsyeja e ndalimit ishte për shkak të simboleve shtetërore.

Më 23 tetor, Asociacioni Botëror i Boksit tha se Kosova është anëtare fuqiplotë e tij dhe se pret pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj.

Kampionati nisi në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor.

Flamuri i Bashkimit Evropian

“BE mbështet plotësisht Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit në pritjet që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohet njësoj sikur delegacionet e secilit anëtar tjetër”.

“Siç e kemi thënë disa herë në të kaluarën, normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Shkëmbimet e tilla janë thelbësore për të ndërtuar mirëkuptimin”, ka thënë Stano për REL.

“Autoritetet në të gjitha nivelet nuk duhet t’i kursejnë përpjekjet për të siguruar që shkëmbimi i tillë bëhet rregullisht, në mënyrë të papenguar dhe pa asnjë shqetësim”.

Të hënën, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, e kritikoi mungesën e reagimit të BE-së ndaj vendimit të Serbisë. /Shqip.com