Lajme

Stafi mbështetës i infermierëve për COVID-19 tash e dy muaj pa paga, MSH hesht

Infermierët

Kanë kaluar dy muaj prej kur E.C nuk është paguar për punën që bën në klinika të ndryshme brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Infermierja e cila është e punësuar si staf mbështetës në QKUK për shkak të epidemisë, rrëfen për Shqip.com se nga muaji dhjetor, Ministria e Shëndetësisë nuk ka ekzekutuar pagë për të dhe kolegët e saj.

“Tash jemi në muajin shkurt dhe ende nuk e kemi marrë pagën e muajit dhjetor. Është bërë e tepërt, kjo nuk është në rregull”, u shpreh ajo.

Infermierja thotë se po u bëhet e padrejtë, pasi njëjtë nuk po ndodh edhe me infermierët që kanë kontratë të rregullt.

“Mua tash më kanë transferuar në Klinikën për COVID. Pavarësisht faktit që punojmë njëjtë sikur infermierët e tjerë, ne marrim pagë me vonesë. Është duke u bërë shkelje e madhe këtu”, vijon më tej infermierja.

Fitim Havolli- anëtarë në Sindikatën e Infermierëve të Kosovës

MSH lë pa paga rreth një mijë punëtorë shëndetësorë

Përveç infermieres, me këtë situatë po përballen edhe rreth një mijë infermierë të tjerë.

Këtë e konfirmojnë nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës.

Fitim Havolli, anëtar i kësaj sindikate, thotë se për këtë problem është njoftuar edhe ministri i MSh-së, Rifat Latifi por që, nuk kanë marrë përgjigje.

“Është e vërtetë që nuk e kanë marrë pagën e janarit por as të dhjetorit. E kemi njoftuar në mënyrë individuale por edhe si grup ministrin, sekretariatin dhe MSh-në. Janë të njoftuar të gjithë institucionet zingjiror por ende nuk kemi marrë përgjigje”.

“Janë rreth një mijë të punësuar si staf mbështetës të cilëve iu është vonuar pagesa” u shpreh Havolli për Shqip.com.

Ministria e Shëndetësisë

Mospagesa “hesht” Ministrinë e Shëndetësisë

Për këtë çështje, Shqip.com i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe pas pesë ditësh pritje, nga kjo ministri nuk kanë dhënë përgjigje.

MSh kishte hapur konkurs në muajin gusht të vitit 2021 për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas konkursit, stafi mbështetës shëndetësor paguhet 420 euro në muaj, ky staf nuk do të ketë të drejtë të gëzojë shtesa të tjera.

MSh kishte hapur konkurs për mbi një mijë e 116 pozita në shtatë Spitalet Rajonale, në Qendrat rajonale të IKSHPK-së, Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna dhe Inspektorë Sanitarë.

Afati i kontratës është 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj të tjerë./Shqip.com