Ekonomi Biznes

Stabiliteti energjetik, në saje të prodhimit në termocentrale

KEK-ut po i shpaguhet shumëfish remonti i rregullt i planifikuar në të gjitha njësitë ekzistuese të termocentraleve të Kosovës, të bëra gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës. Freskimi goxha i detajuar teknik i blloqeve B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 dhe A4 të Kosovës A, gjatë vitit të kaluar ka ndikuar shumë në punën e mirë dhe në prodhimin kontinuel dhe tashmë të standardizuar të këtyre kapaciteteve të stërvjetëruara realisht, duke arritur kuotat e planifikuara të prodhimit, madje edhe përtej tyre edhe gjatë këtyre ditëve të dimrit. Me fjalë të tjera, ka kohë që nga termocentralet e Kosovës që gjenden në prodhim, respektivisht nga blloku B1 dhe B2 të Kosovës B, që kanë bashkërisht kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia në rrjet e secilit bllok është 260 megavat-orë dhe A3 dhe A4-shit të Kosovës A, me gjithsej 260 megavatë-orë, që prodhojnë diku afër 800 megavatë. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar këtyre ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive plus diku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).

Por, sasisë së energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-ut në vazhdimësi me javë dhe muaj thuaja në sasi standarde (rreth 800 megavatë-orë), duhet shtuar edhe një sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike që po vie nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës, gjegjësisht që KESH po ia kthen borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë muajve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar. Tani, Shqipëria ka goxha teprica të energjisë elektrike, që ia kanë mundësuar reshjet e shumta të javëve të fundit.

Reshjet e bollshme dhe të zgjatura në fund të nëntorit dhe dhjetorit të 2022-tës dhe në janar të 2023-tës në rajon (vë vendin tonë, në shtetet fqinje dhe sidomos në Shqipëri), ishin tejet dobiprurëse dhe përmirësuan ndjeshëm bilancet energjetike të vendeve që kanë më shumë hidrokapacitete elektroenergjetike. Këto reshje kanë ndikuar më së shumti në përmirësimin e gjendjes energjetike në Shqipëri, ku vrullshëm dhe brenda disa ditësh, praktikisht u mbushën akumulimet e ujit në Kaskadën e Drinit, duke ua bërë të mundshme hidrocentraleve të Shqipërisë prodhimin maksimal të rrymës. Në saje të ujërave të bollshme, sistemi elektroenergjetik shqiptar, qëkur u mbushën me ujë bazenet në Kaskadën e Drinit, nisi edhe të eksportojë një sasi të mirë të rrymës, t’i kthejë borxhet në rrymë dhe zuri ta përmirësojë gjendjen financiare, të rënduar nga importet në sasi të mëdha të rrymës për nevojat e veta gjatë kohëve kur nuk kishte ujë të mjëftueshëm.

KEK-u, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik, gjatë ditëve të verës dhe sidomos gjatë orëve të natës, kur nevojat e Kosovës ishin më të vogla se konsumi, i ka dhënë hua, ose ka deponuar në KESH diku afro 150 mijë megavatë-orë.

Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, ka thënë për Buletinin Ekonomik, se nga KESH-i edhe sot, gjatë 24 orëve do të vijnë në KEK si kthim i borxhit diku rreth 2300 megavat-orë energji elektrike, ndërsa gjatë 24 orëve të djeshme Kosova ka marrë nga Shqipëria diku mbi 1900 megavatë rrymë. Dhe e tërë sasia, edhe prodhimi nga kapacitetet vendore edhe energjia e rikthyer si borxh nga Shqipëria po i ofrohet KEDS-it, dhe një sasi e vogël i dedikohet Termokosit si energji termike për ngrohjen qendrore të Prishtinës. Dhe në këtë mënyrë Kosova po ka thuajse energji të mjaftueshme për konsumin e vet të shtuar ndjeshëm dhe nuk ka shumë nevojë për import.

“Momentalisht furnizimi me energji elektrike në vend është solid, por nuk ka garanci se kështu mund të vazhdojë ditët dhe javët në vijim”, ka thënë sot zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Ai ka shtuar se furnizimi me energji elektrike në stinën më të ftohtë të vitit, do të varet shumë nga niveli i prodhimit vendor, niveli i konsumit dhe çmimi në bursën ndërkombëtare. Sipas Buzhalës, furnizimi me energji elektrike gjatë këtyre muajve ka qenë stabil përkundër situatës emergjente nëpër të cilën po kalon vendi.

“Kësaj situate të furnizimit me energji i ka ndihmuar edhe koha e mirë, prodhimi vendor pa probleme si dhe importi i realizuar”, ka thënë ai.

“Çmimet në bursa ndërkombëtare, aktualisht, janë dukshëm më të vogla, por nuk dihet se si do të jenë gjatë stinës së dimrit”, tha tutje ai.

Situata në ditët në vijim sipas Buzhalës, varet nga prodhimi vendor dhe kërkesa për konsum, e cila shtohet pasi ka shumë konsumatorë që ngrohen me energji elektrike, si dhe nga çmimi në bursën ndërkombëtare.

/Shqip.com