Lajme

Spitali i Pejës shton masat e sigurisë, monitorim i hapësirave në kohë reale

Spitali i Përgjithshëm në Pejë në kuadër të shtimit të masave të sigurisë në hapësirat brenda tij, ka funksionalizuar dhomën për monitorimin e kamerave të sigurisë.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Spitali i Përgjithshëm përmes një njoftimi për media në faqen e tyre zyrtare.

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë në kuadër të shtimit të masave të sigurisë brenda hapësirave të spitalit, funksionalizon dhomën për monitorimin e kamerave të sigurisë në kohë reale. Realizimi i këtij projekti në tërësi është kryer nga punëtorët e spitalit dhe nuk ka pasur asnjë implikim buxhetor”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre, me këtë sistem do të monitorohen në kohë reale hapësirat e Spitalit të Pejës nga një punëtor i caktuar.

“Me këtë sistem synojmë që të rrisim sigurinë brenda dhe jashtë hapësirave të spitalit, ku në kohë reale do të monitorohen hapësirat nga një punëtor i caktuar enkas për këtë detyrë. Investimet në siguri i shohim tejet të rëndësishme duke u nisur nga fakti që spitali jonë ka frekuentim të madh dhe në këtë drejtim gjatë këtij viti synojmë që të investojmë në sistemin e kamerave (moderne) ku do synojmë mbulueshmërinë 100 % të hapësirave brenda dhe jashtë spitalit”.

Foshnja e vdekur futet në lavatriçe në Spitalin e Pejës, nisin hetimet – SHQIP.com

Kujtojmë se para disa javesh, një foshnje e vdekur është futur në lavatriçe e pështjellur së bashku me çarçafë.

Lajmin e ka konfirmuar për shqip.com, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj.

Kurmehaj tha se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast.

“Po ju konfirmoj se rasti ka ndodhur dhe ne si prokurori kemi ndërmarrë veprime e duhura për zbardhje të rrethanave”, tha Kurmehaj.

Mehaj konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur kur ka ndodhur edhe ngjarja.

Ndërsa, lidhur me rastin Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka suspenduar shtatë punonjës.

/Shqip.com