Lajme

Specialja ia vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka marrë vendim për të ia vazhduar paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Lajmi u bë i ditur nga mbrojtja e Thaçit, Gregory Keohe në seancën që u mbajt sot, shkruan Shqip.com.

“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë vendim për mbajtjen në paraburgim sot paradite, dhe kjo do ta apelohet”, tha Gregory duke shtuar se do të dërgojnë ankesë për këtë vendim.

Avokati, Gregory Keohe

“Parametrat e lirimit në fazën paraprake, nuk kemi pasur një ekzaminim nga askush nga Policia e Kosovës apo nga vendet palët e treta. Kemi vetëm një parashtrim nga Prokuroria ku thonë se Policia e Kosovës është e korruptuar është organizata më e keqe në Kosovë dhe nuk mund të besohen që të zbatojë urdhër të kësaj gjykate”, tha avokati Keohe.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçi ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas aktakuzës, Thaçi Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre./Shqip.com