Lajme

Specialisti i mjekësisë: Marigona Osmani kishte ndërruar jetë para se të sillej në spital

Specialisti i mjekësisë emergjente, Burim Maloku tha se e ndjera ishte sjellë nga dy djem para spitalit pa shenja jete. I këtë deklarim e bëri të enjten në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ku Dardan Krivaqa bashkë me Arbër Sejdiu, po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e të ndjerës, Marigona Osmanit.

Kështu, i njëjti tha se ekipa e ka thirr Policinë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Kur i kam drejtuar dritën në sy të ndjerës kam vërejtur se bebëzat e syrit i ka pas shumë të zmadhuara, dhe kam konstatuar se nuk ka qenë e nevojshme të vazhdohet më tej me procedurën e reanimacionit”, ka thënë Maloku.

Po ashtu, në këtë seancë u dëgjua edhe eksperti mjeko-ligjor Naim Haliti, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili tha se qëndron në tërësi pranë raportit të detajuar.

I njëjti tha se ka kryer autopsinë për këtë rast ndërsa raportin e ka dorëzuar në prokurori, raporton Betimi për Drejtësi.

Lexo edhe:
Krivaqa thotë se Marigona Osmani ia kishte pranuar se e ka tradhtuar me djalin e hallës së tij

Gjatë seancës së djeshme, Dardan Krivaqa tashmë si i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit ka thanë se viktima e kishte pranuar se e ka tradhtuar me djalin e hallës së tij.

Deklaratën e Krivaqës e ka kundërshtuar E.P duke thënë se ajo me çka po e akuzon tashmë i dyshuari nuk është aspak e vërtetë.

Sipas aktakuzës, Krivaqa më 21 gusht 2021 në banesën e tij në Ferizaj, pa pëlqimin e Marigona Osmanit, e kishte detyruar atë për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Arbër Sejdiu në po të njëjtën ditë në banesën e Krivaqës, me dashje i kishte ndihmuar atij në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

/Shqip.com