Lajme

Sot shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale

Ilustrim

Këtë të enjte pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën e 17 tetorit në Kosovë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se publikimi i tyre pritet të bëhet në orën 10:00.

“Mund t’ua konfirmoj se rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale do të shpallen të enjten, në orën 10:00”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

LDK e para në këto zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Gjithsej subjekti politik që drejtohet nga Lumir Abdixhiku mori 170 mijë e 177 vota.

Pason, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurti që kapi shifrën e 167 mijë e 519 vota në total.

Më pas, Partia Demokratike e Kosovës me 161 mijë e 283 vota.

Subjekti i katërt politik është, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që gjithsej ka 90 mijë e 708 vota.

Më 17 tetor, PDK fitoi katër komuna pa balotazh, LDK 2, aq sa mori edhe AAK.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje në asnjë komunë nuk doli mbi 50 për qind. 

Raudi i dytë i zgjedhjeve

Javën e kaluar KQZ ka miratuar planin operacional për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve.

Fushata zgjedhore për balotazhin do të jetë pesë ditë, nga 8 nëntori deri më 12 nëntor.

Për votuesit nga jashtë që janë regjistruar nga 10 korriku deri më 18 gusht, KQZ ka vendosur 15 ditë në dispozicion që t’i dërgojnë fletëvotimet e tyre përmes postës.

Kjo do të fillojë nga 29 tetori, ndërkaq fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ më së largu deri më 12 nëntor./SHQIP.com