Sport Shqiptar

Sot ndeshjet çerekfinale, vëmendja në Lipjan

Gara për Kupën e Kosovës ka hyrë në një fazë shumë interesante dhe sot zhvillohen ndeshjet çerekfinale.

Pa e nënçmuar asnjërën nga ndeshjet e sotme, padyshim që me interesimin më të madh pritet ndeshja që do të zhvillohet në Lipjan, ku Prishtina takohet me Ballkanin.

Kryeqytetasit në këtë ndeshje hyjnë pas një situate jo shumë të mirë, duke marrë parasysh se vetëm dy ditë më parë kanë shkarkuar trajnerin Ismet Munishi, ndërsa skuadra aktualisht drejtohet nga Debatik Curri.

Për Prishtinën fitorja është shumë e rëndësishme, pasi pikërisht përmes Kupës e sheh mundësinë e vetme për të dalë në Evropë.

Interesante pritet të jetë edhe përballja në Mitrovicë, ku Trepça ’89 e pret Gjilanin, sikur edhe ajo në “Zahir Pajaziti”, ku Llapi është nikoqir i Malishevës.

Është e sigurt se në gjysmëfinale do të jetë edhe një skuadër e Ligës së Parë dhe ajo do të përcaktohet në ndeshjen ndërmjet Vushtrrisë e Beharit.

Të gjitha këto përballje fillojnë në ora 13:00.

/Shqip.com