Lajme

Sot Kuvendi/ Ministrat Balla e Manastirliu në interpelancë me opozitën

Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare. Ashtu siç edhe është përcaktuar, seanca plenare është parashikuar që të nisë në orën 10:00.

Parashikohet që punimet e Kuvendit këtë të enjte të jenë të gjata dhe me debate të forta, për shkak të disa çështjeve me rëndësi që janë parashikuar për t’u diskutuar. 

Dy prej ministrave kryesorë të kabinetit qeveritar janë thirrur në interpelancë nga deputetët e opozitës, ndërsa ka dështuar tentativa e demokratëve për një përballje me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen “Xibraka”.

Deputeti demokrat Ervin Salianji kërkon që Ministri i Brendshëm Taulant Balla të japë sqarime për situatën e kriminalitetit në vend dhe masat që kanë marrë për të frenuar atë që ai e quan trafik masiv të drogës.

Nga ana tjetër deputetja  Ina Zhupa ka kërkuar në interpelancë ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu për rezultatet e testit ndërkombëtar të PISA-s që e ka renditur Shqipërinë mes 15 vendeve të fundit.

Sa i përket nismave ligjore, sot kalon për votim projektligji për “Albcontrol” dhe projektvendimi për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të bordit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike.

RENDI I DITËS

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 29.4.2024. (Neni 44, pika 2 e Rregullores së Kuvendit)

2. Njoftime

(Neni 44, pika 3 e Rregullores së Kuvendit)

3. Interpelancë me ministrin e Brendshëm, zotin Taulant Balla, kërkuar nga deputeti Ervin Salianji. (Neni 80 i Kushtetutës, neni 96 e Rregullores së Kuvendit).

4. Interpelancë me ministren e Arsimit dhe Sportit, zonjën Ogerta Manastirliu, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.

(Neni 80 i Kushtetutës, neni 96 e Rregullores së Kuvendit).

5. Projektligj “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol”. (Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 55, dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

6. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. (Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 55, dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

7. Projektligj “Për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës”.

8. Projektligj “Për ratifikimin e protokollit për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore”.

9. Dekret nr. 295, datë 24.10.2023, “Për kthimin e ligjit nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë”.

10. Projektvendim “Për zgjedhjen e kryetarit të bordit të Entit Rregullator të Energjisë”.

11. Projektvendim “Për zgjedhjen e një anëtari të bordit të Entit Rregullator të Energjisë”.

12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

/Shqip.com