Zëdhënësi i BE-së flet për letrën e Gërvallës
Bashkimi Evropian ka thënë të enjten vonë se e ka “të pamundur” ta vlerësojë tani për tani një propozim të Qeverisë së Kosovës për ta përpiluar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut të vetin për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, duke shtuar se nuk është në dijeni për përmbajtjen e tij.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë tha se një draft i tillë duhet të diskutohet edhe me Serbinë dhe me bllokun, i cili e ndërmjetëson dialogun mes dy vendeve fqinje prej vitit 2011.
“Përmbajtja e një statuti, që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ta përpilojë, është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, e as me ndërmjetësuesin [e dialogut Prishtinë-Beograd] BE-në. Prandaj, është e pamundur që të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Stano.
Të enjten në mëngjes, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte informuar Këshillin e Evropës se Kosova mëton të përgatisë një draft-statut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim në fund të muajit.
Më vonë gjatë ditës, ajo tha në një konferencë për media se Kosova është në “fazën e zotimit” për hartimin e një draft-statuti për themelimin e Asociacionit, dhe “jo në një fazë të avancuar”.
Stano tha se BE-ja e mirëpret gatishmërinë e shprehur më në fund nga Kosova për t’u angazhuar tani, pasi “për keqardhje, Kosova prej vitit 2013 nuk e ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacionit, e me këtë edhe drejt forcimit të të drejtave të pakicave, edhe pse ka pasur raste të shumta për të bërë këtë”.
/Shqip.com