Lajme

Sokol Havolli zgjidhet kryeshef i “Prishtina Parking”

“Prishtina Parking” ka bërë publike, rezultatet përfundimtare për pozitën e kryeshefit të kësaj ndërmarrje.

Në bazë të rezultateve të publikuara, në krye të ndërmarrjes “Prishtina Parking” pritet të jetë Sokol Havolli.

Lista e publikuar nga “Prishtina Parking”

Në listën e publikuar prinë Sokol Havolli me 38.75 pikë, pastaj Qëndrim Vitija me 35.25 pikë, Gazmend Rexhepi me 32.50 pikë, Ismet Rakovica me 28 pikë dhe Nexhmi Uka me 24.50 pikë.

Lexo edhe:
Jep dorëheqje zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli (Dokument)

Kujtojmë se para një muaji Havolli ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në letrën e siguruar nga Shqip.com thuhej se dorëheqja e tij ishte e parevokueshme.

Ndër arsyet e dorëheqjes që përmenden në letër ishin presionet politike që nga dhjetori i vitit të kaluar si dhe sulmet ndaj menaxhmentit e anëtarëve të bordeve të kaluara.

“Arsyet e dorëheqjes tanimë janë të njohura për ju. Presionet e pakuptimta politike që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe sulmet ndaj menaxhmentit e anëtarëve të bordeve të kaluara që u realizuan përmes personave. Plotësisht të instrumentalizuar nga politika. Këto presione e kanë bërë të pamundur punën normale”, thuhet në letrën e Havollit.

Sipas tij kjo temë nuk meriton elaborim të mëtejmë sepse sipas tij, individë të caktuar nuk kanë shprehur mendimin e tyre, por kanë zbatuar urdhëra “nga lartë”.

Në letrën e dorëheqjes, Havolli ka ‘uruar’ që sulmet politike ndaj BQK-së të ndalen.

Sokol Havolli për më shumë se katër vite ka mbajtur pozitën e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

/Shqip.com