Lajme

Jep dorëheqje zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli (Dokument)

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Sokol Havolli, ka dhënë dorëheqje.

Në letrën e siguruar nga Shqip.com thuhet se dorëheqja e tij është e parevokueshme.

Ndër arsyet e dorëheqjes që përmenden në letër janë presionet politike që nga dhjetori i vitit të kaluar si dhe sulmet ndaj menaxhmentit e anëtarëve të bordeve të kaluara.

“Arsyet e dorëheqjes tanimë janë të njohura për ju. Presionet e pakuptimta politike që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe sulmet ndaj menaxhmentit e anëtarëve të bordeve të kaluara që u realizuan përmes personave. Plotësisht të instrumentalizuar nga politika. Këto presione e kanë bërë të pamundur punën normale”, thuhet në letrën e Havollit.

Sipas tij kjo temë nuk meriton elaborim të mëtejmë sepse sipas tij, individë të caktuar nuk kanë shprehur mendimin e tyre, por kanë zbatuar urdhëra “nga lartë”.

Shqip.com ka kontaktuar me Havollin, i cili tha se arsyet e dorëheqjes tashmë janë përmendur në letër dhe nuk ka diçka tjetër për të shtuar.

“Si zëvendësguvernator në Bankën Qëndrorë të Kosovës, kam dorëzuar dorëheqjen time tek bordi i BQK-së dhe arsyeja e dorëheqjës është përmendur në atë letër. Unë nuk kam diçka për të shtuar”, tha Havolli.

Në letrën e dorëheqjes, Havolli ka ‘uruar’ që sulmet politike ndaj BQK-së të ndalen.

Sokol Havolli për më shumë se katër vite ka mbajtur pozitën e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës./Shqip.com